“Asnjë diktat nuk mund t’i imponohet Ukrainës”. Kështu u shpreh kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz pas takimit me liderët e BE-së dhe shefin e NATO-s në Pallatin Elysee, duke nënvizuar se Europa duhet të vijojë mbështetjen e saj për Kievin pavarësisht qëndrimit të SHBA-ve.
“Ne mirëpresim faktin që ka bisedime për një marrëveshje paqeje, por për ne është e qartë se kjo nuk mund të jetë një diktat”, tha ai duke shigjetuar lëvizjet e fundit nga Donald Trump në këtë drejtim.
Scholz tha gjithashtu se Ukraina duhet të lejohet të mbrohet, të vazhdojë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe të ketë ushtrinë e saj të fortë, duke theksuar se këto çështje nuk janë të negociueshme.
Por Scholz gjithashtu deklaroi se nuk mund të ketë përçarje midis Evropës dhe SHBA-së për sigurinë, pasi ai thekson rëndësinë e aleancës së NATO-s.