Policia e Kosovës e ka përfshirë në raportin 24 orësh bastisjen në Ministrinë e Bujqësisë, ku njëri nga të intervistuarit, ishte edhe ministri në detyrë, Faton Peci.
Në raport, thuhet se gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike si kompjuterë dhe telefona, si dhe dokumente që përputhen me urdhëresën e Gjykatës të Prishtinës.
Po ashtu, policia ka treguar se janë intervistuar dy persona për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ministri Peci dhe drejtori i AUV, Bekim Hoxha.
“Prishtinë / 19.07.2025 – NN. Më 27.05.2025, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, janë kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike (kompjuterë, telefona), si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës.
Dy persona meshkuj kosovarë janë intervistuar dhe pas intervistimit në prani të avokatëve me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt” – thuhet në raport.