Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për tregun e lirë të energjisë.
Sipas këtij institucioni, rritja për 16.1% e tarifave për energjinë elektrike ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës, duke rënduar veçanërisht situatën e konsumatorëve në nevojë dhe të familjeve që përfitojnë asistencë sociale.
Avokati i Popullit ka thënë se për tu marr ky vendim kërkon konsultim ndërmjet ZRRE-së dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka obligim të veprojë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike, në mënyrë që vendimet e tilla të ZRRE, të përcillen me masa përmes të cilave do mbrohen të drejtat e konsumatorëve në nevojë dhe kategoritë e tjera të cenueshme, e po ashtu të ndërmarrin masa konkrete me qëllim të krijimit e kushteve të përballueshme edhe për komunitetin e biznesit, duke krijuar kushte të përshtatshme për liberalizim të tregut me kushte të favorshme, si dhe duke marr masa me qëllim që të shmangët krijimi i monopolit. Mungesa e institucioneve të konstituuara në kohën e marrjes së vendimeve ka pamundësuar një proces të balancuar dhe të përgjegjshëm”, ka thënë Avokati i Popullit.
Reagimi i plotë:
Avokati i Popullit ka publikuar Opinion Ex Officio nr. 538/2025 lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike nga ZRrE.
Prishtinë, më 29 maj 2025 – Përmes këtij opinioni, Avokati i Popullit ka ofruar qëndrimin e përgjithshëm lidhur me çështjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), si dhe efektet e krijuara nga kjo rritje, në dritën e garancive kushtetuese dhe ligjore sa i përket të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Avokati i Popullit vlerëson se rritja për 16.1% e tarifave për energjinë elektrike ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës, duke rënduar veçanërisht situatën e konsumatorëve në nevojë dhe të familjeve që përfitojnë asistencë sociale.