Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet të votojë me shumicë dërrmuese për armëpushim në Gaza

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë të enjten një draft-rezolutë me të cilën kërkohet armëpushim i menjëhershëm, i pakushtëzuar dhe i përhershëm në luftën në Gaza, pasi Shtetet e Bashkuara bllokuan me veto një përpjekje të ngjashme në Këshillin e Sigurimit javën e kaluar.

Pritet që Asambleja e Përgjithshme, me 193 shtete anëtare, ta miratojë rezolutën me përkrahje dërrmuese, thonë diplomatët, edhe pse Izraeli këtë javë ka lobuar të shtetet kundër asaj që e quajti “farsë të motivuar politikisht e kundërproduktive”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithsme nuk janë të detyrueshme, por kanë peshë si pasqyrim i pikëpamjes botërore për luftën. Kërkesat e mëparshme nga ky organ për përfundimin e luftës mes Izraelit dhe Hamasit janë shpërfillur. Ndryshe nga Këshilli i Sigurimit, në Asamblenë e Përgjithshme asnjë shtet nuk ka të drejtë të vetos.

Votimi i së enjtes vjen para një konference që do të mbahet javën e ardhshme në OKB me qëllim të rigjallërimit të shtytjes ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve. Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje vendeve që të mos marrin pjesë në këtë konferencë.

Javën e kaluar, Uashingtoni bllokoi me veto një rezolutë të Këshillit të Sigurimit me të cilën gjithashtu kërkoheshin “armëpushim i menjëhershëm, i pakushtëzuar dhe i përhershëm” si dhe qasje e papenguar në ndihma në Gaza, duke argumentuar se ky dokument do t’i minonte përpjekjet e udhëhequra nga ShBA-ja për të ndërmjetësuar një armëpushim.

Përveç ShBA-së, 14 shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, përfshirë katër anëtaret e përhershme – Britania, Franca, Rusia dhe Kina – votuan në favor të draft-rezolutës, kur kriza humanitare e ka kapluar enklavën me më shumë se 2 milionë banorë dhe ku OKB-ja ka paralajmëruar për rrezikun e urisë masive.

Në draft-rezolutën për të cilën do të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të enjten kërkohen edhe lirimi i pengjeve që po mbahen nga Hamasi, kthimi i të burgosurve palestinezë të ndaluar nga Izraeli dhe tërheqja e plotë e forcave izraelite nga Gaza.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here