Arsyetimi i Trumpit për mosdërgim trupash në Ukrainë: “Jemi shumë larg”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka komentuar mundësinë e dërgimit të trupave evropiane dhe amerikane në Ukrainë.

Kur u pyet për mundësinë që disa shtete evropiane të dërgojnë ushtarë në shtetin e përfshirë nga agresioni rus, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha: “Nëse ata duan ta bëjnë këtë, kjo është e mrekullueshme, unë jam plotësisht për këtë. Nëse ata duan ta bëjnë këtë, mendoj se kjo do të ishte në rregull. Dua të them, e di se Franca e ka përmendur këtë, të tjerët e kanë përmendur këtë, Britania e ka përmendur këtë.”

Megjithatë, sipas raportimit të televizionit BBC, Trumpi shtoi: “Ne nuk do të duhet që të vendosim ndonjë (ushtar) atje (në Ukrainë) sepse, e dini, ne jemi shumë larg (gjeografikisht).”

Pas një samiti urgjent të udhëheqësve evropianë në Paris, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se “një garanci e sigurisë nga ShBA-ja është mënyra e vetme për ta frenuar në mënyrë efikase Rusinë” dhe u zotua për t’i diskutuar “elementet kyçe” të një pakti të paqes me Trumpin në Uashington javën e ardhshme.

Dy delegacione të larta të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë zhvilluan bisedime të martën në Riad të Arabisë Saudite. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se dy vendet do të emërojnë ambasadorë në kryeqytetet e njëra-tjetrës sa më shpejt që është e mundshme dhe do t’i krijojnë kushtet për ta “rivendosur bashkëpunimin në mënyrë të plotë”.

Kryediplomati rus e përsëriti qëndrimin e mëparshëm të Moskës se çfarëdo zgjerimi i NATO-s dhe anëtarësimi i Ukrainës në të do të ishin “kërcënim i drejtpërdrejtë” ndaj Rusisë.

Në anën tjetër, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha se ai është “i bindur” se Rusia është “e gatshme për të filluar që të angazhohet në një proces serioz” që t’i jepet fund luftës në Ukrainë.

“Duhet të bëhen koncesione nga të gjitha palët. Ne nuk do të përcaktojmë se çfarë janë ato. Sot është hapi i parë i një udhëtimi të gjatë e të vështirë, por të rëndësishëm” – deklaroi kryediplomati amerikan./Nacionale/Nasuf Abdyli

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here