Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion një person që u pa duke shkelur me këmbë flamurin shtetëror të Kosovës në qendër të Prishtinës. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Ngjarja ndodhi të martën në sheshin “Nënë Tereza”, ku një qytetar i ardhur nga Tirana u filmua teksa vendosi flamurin e Kosovës në tokë dhe e shkeli me këmbë, duke deklaruar se nuk e njeh atë si simbol shtetëror. Ai u thirr në motive patriotike dhe bëri thirrje për bashkim kombëtar nën flamurin kuq e zi.
Veprimi i tij provokoi reagimin e qytetarëve të pranishëm, dhe njëri prej tyre ndërhyri duke ia marrë flamurin nga toka dhe e largoi.
Pas incidentit, personi në fjalë u shoqërua nga Policia për veprime të mëtejshme. Deri tani nuk ka detaje shtesë mbi ndonjë masë të mundshme ndaj tij.