8 C
Pristina
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026

Albulena Haxhiu u zgjodh Kryetare e Kuvendit të Kosovës, reagon Vjosa Osmani

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës këtë të mërkurë dhe zgjedhjes së Kryetares së re, Albulena Haxhiu, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur urimet dhe mbështetjen e saj për udhëheqjen e re parlamentare.

Në reagimin e saj të plotë, Presidentja Osmani tha:

“Uroj znj. Albulena Haxhiu për zgjedhjen e saj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe nënkryetarët e Kuvendit për përgjegjësinë që u është besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve tanë.

Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës.

Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike.

Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë!
Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore!”

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME