Alarmi i SHBA në Tiranë pushton mediat e huaja: Shqipëria në gatishmëri të lartë, ja çfarë raporton IntelliNews

Alarmi i sigurisë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat ndërkombëtare, të cilat i kanë kushtuar vëmendje jo vetëm paralajmërimit, por sidomos reagimit të institucioneve shqiptare dhe masave të marra në terren.

IntelliNews raporton se Shqipëria ka vendosur në gatishmëri të shtuar strukturat e sigurisë pas paralajmërimit të ambasadës amerikane, duke theksuar se autoritetet shqiptare kanë rritur nivelin e vigjilencës dhe po monitorojnë situatën në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Sipas kësaj media, institucionet e sigurisë në vend janë angazhuar në mënyrë të plotë, ndërsa masat e shtuara nuk lidhen vetëm me këtë alarm, por edhe me zhvillimet më të gjera ndërkombëtare, veçanërisht tensionet në Lindjen e Mesme.

Në raportimin e saj, IntelliNews ndalet edhe te deklaratat e Ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, i cili thekson se strukturat e policisë, antiterrorit dhe sigurisë janë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadat dhe po zbatojnë një plan të detajuar veprimi. Ai nënvizon se nuk ka informacion konkret për një kërcënim real apo të menjëhershëm, por shton se masat e shtuara janë pjesë e një protokolli të vazhdueshëm sigurie.

Nga ana tjetër, Euronews i kushton një vëmendje të veçantë reagimit në nivel institucional, duke raportuar se Presidenti Bajram Begaj është në kontakt të vazhdueshëm me Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe po merr informacione të përditësuara për çdo zhvillim. Sipas kësaj media, Presidenca ka theksuar se kreu i shtetit është i informuar për çdo skenar të mundshëm dhe për të gjitha masat e ndërmarra në kuadër të protokolleve të sigurisë.

Euronews nënvizon gjithashtu se koordinimi i Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë mbetet në nivele “jashtëzakonisht të larta”, duke e paraqitur situatën si një reagim të organizuar institucional përballë një konteksti të ndjeshëm sigurie.

Në të njëjtën kohë, mediat ndërkombëtare e lidhin zhvillimin edhe me kontekstin më të gjerë gjeopolitik. IntelliNews thekson se Shqipëria është ndër vendet më të pozicionuara në mbështetje të Shteteve të Bashkuara në raport me Iranin, duke përmendur edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama për klasifikimin e Gardës Revolucionare iraniane si organizatë terroriste.

Po ashtu, raportimet ndalen edhe te prania në Shqipëri e rreth 3 mijë anëtarëve të opozitës iraniane MEK, një faktor që ka tensionuar marrëdhëniet me Teheranin ndër vite. Mediat kujtojnë se në të kaluarën autoritetet shqiptare kanë dëbuar diplomatë iranianë për arsye sigurie, duke e bërë vendin një pikë të ndjeshme në raport me aktivitetet e dyshuara të Iranit.

Në përfundim, si IntelliNews ashtu edhe Euronews e paraqesin situatën në Shqipëri si një gjendje me masa të shtuara sigurie dhe reagim të koordinuar institucional, ku autoritetet janë në gatishmëri dhe në komunikim të vazhdueshëm me partnerët, por pa një kërcënim konkret të konfirmuar deri në këtë fazë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME