Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se pas aksionit të shoqërisë civile, iu është ndaluar hyrja në Kuvendin e Kosovës për monitorimin e seancave.
Cakolli në një shkrim në Facebook, ka thënë se sigurimi ua ndaloi hyrjen me arsyetimin se nevojitet kërkesë e re me shkrim.
Madje, ai ka thënë se nga komunikimi me administratën e Kuvendit të Kosovës, u është thënë se vendimi reflekton qëndrimin e kryesuesit Avni Dehari.
Postimi i plotë:
Pas performancës që zhvilluam sot si shoqëri civile para Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa kolegë deshëm të monitorojmë seancën – ashtu siç kemi bërë vazhdimisht prej më shumë se 15 vitesh, e veçanërisht pas 15 prillit.
Por, kësaj here, sigurimi na ndaloi hyrjen, me arsyetimin se nevojitet kërkesë e re me shkrim, ndonëse një të tillë e kemi dorëzuar që më 10 prill, pas së cilës kemi marrë pjesë në pothuajse të gjitha seancat.
Nga komunikimi me administratën e Kuvendit, na u bë e ditur se ky vendim reflekton qëndrimin e kryesuesit Avni Dehari.
Ky veprim, pikërisht pas reagimit tonë publik, është jo vetëm pengesë e pajustifikueshme, por edhe tejkalim i kompetencave nga ana e kryesuesit, i cili nuk ka asnjë mandat për të kufizuar praninë e shoqërisë civile në Kuvend.