Aksionet e Policisë së Kosovës ditëve të fundit në veri të Mitrovicës, për rikthimin e objekteve të uzurpuara nga strukturat ilegale serbe, nën menaxhimin legjitim komunal, kanë bërë që qytetarët serbë të kësaj pjese të vendit të organizojnë protestë kundër këtyre aksioneve.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani i tha Indeksonlinet se rreth orës 09:00 sot ka filluar një protestë para sallës së sporteve në veri të Mitrovicës, ku pjesëmarrës janë prindërit dhe fëmijët.
Elshani tha se ata po protestojnë pas mbylljes së djeshme të hallës së sporteve nga inspektorët komunalë.
“Rreth orës 09.00 ka fillu një protest para hallës së sporteve në Mitrovicën e Veriut. Pjesëmarrës janë prindër dhe nxënës. Protestojnë në lidhje me mbylljen e hallës së sporteve dje nga inspektorët komunalë. Situata është e qetë dhe se nuk ka ndonjë problem që vlen të theksohet”, tha Elshani për Indeksonlinen.
Ndryshe, gjatë ditës së enjte Komuna e Mitrovicës Veriore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë ndërmarrë hapa konkretë për rikthimin e objekteve të uzurpuara nga strukturat ilegale serbe nën menaxhimin legjitim komunal.
Nga këto aksione janë liruar dhe kthyer në administrimin e komunës, objekti katërkatësh në rrugën “Kollashini”, ku ishin të vendosura: Instituti për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara, Shoqata Sportive dhe SHKA “Kosova Bozhur”; Muzeu i Qytetit në rrugën “Lola Ribar”; Qendra Sportive në rrugën “Llola Ribar”, afër ish-remontit.