‘Ajo kishte frikë’: Detaje të reja nga tragjedia në Brest – Gruaja kishte kërkuar ndihmë nga policia disa javë para ngjarjes

Ngjarja e rëndë që tronditi qytetin Brest të Francës vijon të zbulohet me detaje të reja. Të enjten pasdite, një çift me origjinë shqiptare u gjet pa shenja jete në apartamentin e tyre, në një pallat në rrugën “Général-Paulet”, në kufi me lagjen Pontanézen.

Sipas autoriteteve franceze, 36-vjeçari ka përdorur një armë gjahu dhe më pas ka kthyer armën nga vetja, duke lënë pas dy fëmijë të mitur që në momentin e ngjarjes nuk ndodheshin në banesë.

Si ndodhi ngjarja
Rreth orës 15:30, një banuese e ndërtesës njoftoi shërbimet e emergjencës pasi dëgjoi një të shtënë nga apartamenti fqinj. Zjarrfikësit, pasi hapën derën e banesës, gjetën trupat e pajetë të çiftit shqiptar, të dy në situatë të rregullt dokumentacioni në Francë. Pranë 36-vjeçarit u gjet një armë “tip karabine”.

Prokurori i Brestit, Stéphane Kellenberger, konfirmoi se hetimet e para tregojnë për një akt të rëndë brenda familjes, i ndjekur nga një vetëvrasje.

Gruaja kishte kërkuar ndihmë disa javë më parë
Hetimet kanë zbuluar se më 23 tetor, viktima kishte kontaktuar policinë e Brestit për të raportuar “dhunë psikologjike” nga partneri i saj. Ajo kishte përshkruar një “xhelozi patologjike” dhe një sjellje “kontrolluese”, por kishte mohuar çdo dhunë fizike.

Një fqinje e çiftit ka konfirmuar për gazetën “Le Télégramme”: “Ajo kishte shumë frikë prej tij. Kemi thirrur disa herë policinë dhe shërbimin e urgjencës. Ai ishte tepër xheloz dhe e ofendonte shpesh.”

Pavarësisht kësaj, gruaja nuk kishte depozituar kallëzim zyrtar, megjithëse policia kishte hapur një hetim paraprak.

Viktima sapo ishte kthyer në shtëpi

Sipas prokurorit, gruaja kishte lënë banesën dhe ishte strehuar së bashku me dy fëmijët në një qendër emergjence. Megjithatë, ajo kishte refuzuar të merrte “telefonin e emergjencës për viktimat e dhunës”, duke shpresuar se bashkëshorti do të kërkonte trajtim psikologjik.

Pak ditë më parë, ajo ishte kthyer në shtëpi me fëmijët.

Autoritetet franceze vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe dinamikën e ngjarjes që la dy fëmijë të mitur pa prindër.

Foto: (Le Télégramme/Frédéric Jacq)

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME