Një aeroplan nga Heathrow i Londrës me 311 persona në bord është detyruar të bëjë një ulje emergjente në Rusi këtë mëngjes.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, merret vesh se Boeing 777-39L(ER) ka pësuar defekt në motor dhe ka kërkuar ulje në qytetin e Nizhnevartovsk në Siberi.
Pamjet tregojnë aeroplanin e Air China – i nisur për në Pekin – duke u ulur në qytetin e largët në rajonin autonom rus të Khanty-Mansi.
Ai u ul në orën 8:17 të mëngjesit sipas kohës lokale pasi pati probleme mbi hapësirën ajrore ruse.
Një dëshmitar okular i tha medias së re ruse, Baza, e cila ka lidhje me shërbimet ruse të sigurisë: “Shërbimet e aeroportit ishin në gatishmëri të lartë për mysafirin e papritur”.