A mund të përballoni mbijetesën në rast lufte bërthamore? Ja sa kushtojnë bunkerët privatë në të gjithë Evropën

Rrjeti masiv i bunkerëve të Luftës së Ftohtë në Evropë është çmontuar kryesisht pas viteve ’90, por frika nga përshkallëzimi i krizave gjeopolitike ka rikthyer interesin për strehimore bërthamore – këtë herë në version privat dhe të personalizuar.

Gjatë Luftës së Ftohtë, shumë vende evropiane u mbushën me bunkerë nëntokësorë, të projektuar për të mbrojtur popullsinë nga një sulm i mundshëm bërthamor. Pas rënies së Murit të Berlinit, shumica u braktisën, u kthyen në muze apo u çmontuan.

Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, grupi Subterranea Britannica llogarit se dikur kishte mbi 280 strehimore, por vetëm një pjesë e vogël prej tyre mbeten funksionale sot.

Në mungesë të një infrastrukture të gjerë publike, po lulëzon tregu i bunkerëve privatë në vende si Italia, Spanja, Gjermania, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar. Çmimet variojnë nga 3,000 deri në 5,000 euro për metër katror për modelet bazike, ndërsa bunkerët “luksozë” me dhoma ndenjeje, kuzhina, gjeneratorë dhe madje edhe sisteme sigurie me gaz lotsjellës, mund të kushtojnë deri në 1 milion euro.

Kompani të specializuara si Il Mio Bunker në Itali, Burrowed LTD në Britani, apo BunkerBauer në Gjermani, po raportojnë rritje kërkese, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës dhe incidenteve të fundit ushtarake në Poloni. “Shumica e klientëve tanë nuk ndihen të sigurt me mbrojtjen qeveritare”, thotë Victor Angelier nga kompania suedeze Nuclear Bunker.

Megjithatë, vetëm disa shtete evropiane kanë ruajtur rrjete të gjera strehimoresh publike. Zvicra mbetet shembulli unik: me 9,000 strehimore publike dhe 360,000 private, kapaciteti i saj arrin të mbulojë të gjithë popullsinë prej 9 milionë banorësh. Suedia ka rreth 64,000 strehimore për 7 milionë njerëz, ndërsa Finlanda numëron mbi 50,000 bunkerë që ofrojnë hapësirë për gati 5 milionë civilë.

Në një Evropë të pasigurt, ku kërcënimet bërthamore rikthehen në fjalorin e përditshëm, bunkerët nuk janë më relike muzeale, por investime të kushtueshme për sigurinë personal.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME