A është ky fillimi i fundit për Netanyahun?

Shkruar nga Ramzy Baroud
Trump duket se po e braktis Netanyahun. Ndaj operacionet e intensifikuara ushtarake izraelite në Gaza, janë një përpjekje e tij për të projektuar forcë në mesin e dobësisë politike të perceptuar. Mbetet e pasigurt se sa gjatë do të qëndrojë në pushtet, por pozicioni i tij politik është përkeqësuar ndjeshëm…

Ka pasur një periudhe në të cilën Benjamin Netanyahu, dukej se i kishte të gjitha letrat e duhura në dorë. Autoriteti Palestinez ishte kryesisht pasiv, Bregu Perëndimor ishte relativisht i qetë, ndikimi diplomatik i Izraelit në rajon po zgjerohej, dhe SHBA-ja dukej e gatshme të shkelte ligjet ndërkombëtar për të plotësuar dëshirën e Tel Avivit për një kontroll të plotë mbi Palestinën.

Po ashtu, kryeministri izraelit, të paktën sipas vlerësimit të tij, kishte arritur të nënshtronte Gazën, enklavën vazhdimisht sfiduese, e cila për vite me radhë kishte luftuar pa sukses për të thyer bllokadën mbytëse izraelite.

Brenda Izraelit, Netanyahu ishte vlerësuar si kryeministri më jetëgjatë, një figurë që premtoi jo vetëm jetëgjatësi më të madhe për qytetarët por edhe një zhvillim të paparë. Për ta festuar këtë moment historik, Netanyahu përdori një objekt vizual: një hartë të Lindjes së Mesme ose, sipas fjalëve të tij, “Lindja e Mesme e Re”.

Sipas Netanyahut, ajo ishte një bllok i gjelbër i unifikuar, që përfaqësonte një të ardhme me “bekime të mëdha” nën udhëheqjen izraelite. Në hartë mungonte dukshëm Palestina, ajo historike, dhe që sot quhet Izrael, por edhe Territoret e Pushtuara.

Këtë hartë Netanyahu e zbuloi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 22 shtator 2023. Por fjalimi i tij, u ndoq nga pak të pranishëm, dhe midis atyre mungonte dukshëm entuziazmi. Megjithatë, kjo nuk kishte shumë rëndësi për Netanyahun, koalicionin e tij të ekstremistëve apo publikun e gjerë izraelit.

Sepse Izraeli është mbështetur historikisht tek disa kombe të zgjedhura, që konsiderohen prej tij si të një rëndësie parësore: Uashingtoni dhe një grusht kryeqytetesh evropiane.

Pastaj ndodhi sulmi i 7 tetorit. Në fillim, Izraeli e shfrytëzoi sulmin palestinez për të fituar mbështetjen perëndimore dhe ndërkombëtare, duke vërtetuar politikat e tij ekzistuese dhe justifikuar kundërpërgjigjen e tij.

Megjithatë, kjo simpati u zhduk shpejt, pasi u bë e qartë se përgjigja e Izraelit përfshinte një fushatë gjenocidi, shfarosjen e popullit palestinez në Gaza dhe spastrimin etnik të popullsisë së Gazës dhe komuniteteve në Bregun Perëndimor.

Ndërsa dolën në pah imazhe dhe pamje të masakrës shkatërruese në Gaza, u rritën ndjenjat anti-izraelite. Edhe aleatët e Izraelit, e kishin të vështirë të justifikonin vrasjen e qëllimshme të dhjetëra mijëra civilëve të pafajshëm, kryesisht gra dhe fëmijë.

Vende si Mbretëria e Bashkuar, vendosën embargo të pjesshme armësh ndaj Izraelit, ndërsa Franca u përpoq të mbante një rol të balancuar, duke bërë thirrje për një armëpushim ndërsa shtypte aktivistët vendas që e mbështesnin të njëjtën gjë.

Narrativa perëndimore pro-Izraelit, është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme dhe mbetet shumë problematike. SHBA-ja nën drejtimin e presidentit Joe Biden, ruajti në fillim një mbështetje të palëkundur. Megjithatë, kur Izraeli dështoi të arrinte objektivat e tij të perceptuara, qëndrimi publik i Biden nisi që të ndryshonte.

Ai bëri thirrje për një armëpushim, edhe pse pa treguar ndonjë gatishmëri konkrete për të ushtruar presion mbi Izraelin. Mbështetja e palëkundur e Biden për Izraelin, është cituar nga shumë njerëz si një faktor që solli humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2024.

Pastaj, në Shtëpinë e Bardhë hyri sërish Donald Trump. Netanyahu dhe mbështetësit e tij, si në Izrael ashtu edhe në Uashington, parashikuan se veprimet e Izraelit në Palestinë dhe në rajonin e gjerë – Liban, Siri etj – do të përputheshin me një plan strategjik më të gjerë.

Ata besonin se administrata e dytë e Trump, do të ishte e gatshme të përshkallëzonte më tej situatën. Sipas tyre, ky përshkallëzim do të përfshinte veprime ushtarake kundër Iranit, zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, copëtimin e Sirisë, dobësimin e Huthëve në Jemen etj, pa lëshime të rëndësishme.

Fillimisht, Trump sinjalizoi gatishmërinë për ta ndjekur këtë axhendë: dërgimin në Izrael të bombave më të mëdha, kërcënimet e drejtpërdrejta ndaj Iranit, përshkallëzimin e operacioneve kundër Huthëve dhe shprehjen e interesit për kontrollin e Gazës dhe zhvendosjen e popullsisë së saj.

Megjithatë, pritshmëritë e Netanyahut u pasuan vetëm nga premtime të pa mbajtura. Kjo ngriti pyetjen: a e kishte mashtruar qëllimisht Trump Netanyahun, apo rrethanat në zhvillim e bënë të domosdoshme një rivlerësim të planeve të tij fillestare? Shpjegimi i dytë duket më i besueshëm.

Përpjekjet për të frikësuar Iranin rezultuan joefektive, duke çuar në një sërë angazhimesh diplomatike midis Teheranit dhe Uashingtonit, fillimisht në Oman, pastaj në Romë. Huthët treguan qëndrueshmëri, duke bërë që SHBA-ja të kufizonte këtë muaj sulmet ushtarake në Jemen, konkretisht operacionin “Rough Rider”.

Të premten, një zyrtar amerikan njoftoi se luftanija amerikane USS Harry S.Truman do të tërhiqet nga rajoni. Vlen të përmendet se javën e kaluar, Hamasi dhe Uashingtoni njoftuan një marrëveshje, të pavarur nga Izraeli, për lirimin e të burgosurit amerikano-izraelit, Edan Alexander.

Kulmi ishte kur Trump mbajti një fjalim javën e kaluar në një forum investimesh SHBA-Arabi Saudite në Riad, në të cilin mbështeti paqen dhe prosperitetin rajonal, shpalli heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, dhe theksoi nevojën e një zgjidhje diplomatike të konfliktit me Iranin.

Në këto ndryshime të mëdha rajonale mungonte Netanyahu dhe “vizioni” i tij strategjik. Ky i fundit, u përgjigj ndaj atyre zhvillimeve duke i shtuar operacionet ushtarake kundër spitaleve palestineze në Gaza, dhe goditur madje edhe pacientët brenda tyre.

Ky veprim, që synonte më të brishtët, si gratë dhe fëmijët, u interpretua si një mesazh për Uashingtonin dhe shtetet arabe se objektivat e tij mbeteshin të pandryshuara, pavarësisht pasojave. Operacionet e intensifikuara ushtarake izraelite në Gaza, janë një përpjekje e Netanyahut për të projektuar forcë në mesin e dobësisë së tij politike.

Ky përshkallëzim, ka sjellë një rritje të ndjeshme të viktimave nga radhët e palestinezëve, dhe ka përkeqësuar mungesat e ushqimit, gati në një uri masive për më shumë se 2 milionë njerëz. Mbetet e pasigurt se sa gjatë do të qëndrojë Netanyahu në pushtet, por pozicioni i tij politik është përkeqësuar ndjeshëm.

Ai përballet me një kundërshtim të gjerë brenda dhe jashtë vendit. Edhe aleati i tij kryesor, SHBA-ja, ka sinjalizuar një ndryshim në qasjen e saj. Kjo periudhë, mund të shënojë fillimin e fundit për karrierën politike të Netanyahut dhe potencialisht edhe të politikave që lidhen me qeverisjen e tij tejet të dhunshme./“Eurasia Riview”

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here