Një takim i rrallë mes tre prej liderëve më të fuqishëm të botës pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Kinë. Presidenti amerikan, Donald Trump, ai rus, Vladimir Putin, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, pritet të takohen në qytetin Shenzhen, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, takimi trepalësh do të zhvillohet në margjinat e samitit ndërkombëtar, ku do të marrin pjesë përfaqësues të 21 shteteve anëtare të APEC-ut.
Një prej temave kryesore që pritet të trajtohet është kufizimi dhe reduktimi i armëve bërthamore në botë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, ka deklaruar se presidenti Trump e konsideron përhapjen e arsenalit bërthamor si një prej rreziqeve më serioze për sigurinë globale.
Në agjendën e diskutimeve pritet të përfshihet edhe situata në Iran, ndërsa çështja e luftës në Ukrainë nuk parashihet të jetë pjesë e bisedimeve, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Pavarësisht rëndësisë së një takimi të tillë, zyrtarët amerikanë nuk presin që bisedimet të përfundojnë me ndonjë marrëveshje konkrete.
Donald Trump pritet të arrijë në Shenzhen të mërkurën në mbrëmje, ndërsa një ditë më vonë do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me presidentin kinez, Xi Jinping.
Ky do të jetë takimi i katërt mes Trumpit dhe Xi Jinpingut që nga rikthimi i presidentit amerikan në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.
Ndërkohë, Moska dhe Pekini ende nuk kanë bërë komente zyrtare lidhur me mundësinë e takimit trepalësh, i cili, nëse konfirmohet, do të përbënte një zhvillim të rëndësishëm diplomatik në raportet mes tri fuqive botërore.
