Çështja “Zvërneci” është regjistruar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) me tre akuza për Zvërnecin.
Tre veprat penale në këtë çështje janë “pastrim parash”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “falsifikim dokumentash”.
SPAK mësohet se po kryen hetime në bazë të këtyre veprave penale, por deri në këto momente nuk ka zyrtarisht persona nën hetim apo akuzë.
Procedimi penal nr 410/2026, vëren se janë konstatuar lëvizje dhe transaksione financiare të dyshimta në fund të vitit 2025 dhe gjatë këtyre muajve të 2026.
Për këtë, nga ana e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion është dhënë vendim për lejimin e ushtrimit të 10 kontrolleve, me kërkesë të SPAK, në kuadër të këtij procedimi penal.
Prokuroria e Posaçme ka vënë në sekuestro rreth 195 milionë dollarë, të cilat pritej t’i kaloheshin pronarëve të truallit gjatë procedurave për blerjen e tokës përmes zyrave noteriale.
Në dosjen që SPAK ka dorëzuar në GJKKO, thuhet se Prokuroria e Posaçme ka administruar të dhëna për disa vendimesh gjykatash, përfshirë edhe nga Gjykata e Lartë, të cilat kanë sjellë ndryshime të titujve të pronësisë.
Dyshimet janë se edhe tani janë ende të hapura konflikte ligjore mbi sipërfaqet e tokave dhe pretendimeve për to./noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
