Në 27-vjetorin e masakrave në fshatin Lybeniq të Pejës, krerët më të lartë të shtetit dhe udhëheqësit politikë kanë bërë homazhe në nderim të 79 civilëve të vrarë gjatë luftës, ku u bë thirrje e prerë për unitet kombëtar. Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, kryekuvendarja Albulena Haxhiu, ministrja Saranda Bogujevci dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, u pritën nga familjarët dhe dëshmitarët e mbijetuar, të cilët kërkuan që politika e Kosovës të jetë e bashkuar për ta bërë Republikën më të fortë përballë sfidave të drejtësisë.
Dëshmitarja Elhame Kurtaj-Haradinaj, duke kujtuar tmerrin e forcave serbe që festonin mbi gjakun e shqiptarëve, përcolli mesazhin e unitetit drejtpërdrejt te udhëheqësit shtetërorë. Ky përvjetor shënon dhimbjen për tri etapa të përgjakshme që tronditën fshatin në kohë dhe data të ndryshme, duke lënë pas gjithsej 79 të vrarë. Goditja më makabre ndodhi më 1 prill 1999, kur njësia “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” e ushtrisë serbe ekzekutuan 59 burra, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, ku më i vogli ishte vetëm dy vjeç.
Nga ky grup që u përball me breshëritë e pandalshme në qendër të fshatit, 11 persona arritën të mbijetonin mrekullisht, edhe pse pjesa dërrmuese e tyre bartnin plagë të rënda në trup. Këta të mbijetuar, që u gjenden nën rëndimin e trupave të pajetë, mbetën dëshmitarët e vetëm gjallë të asaj dite tmerri.
Një fat të ngjashëm mbijetese pati edhe masakra e majit, ku u ekzekutuan 11 civilë të tjerë, me vetëm një të mbijetuar që mbeti për të dëshmuar krimin.
Viktimat u përkisnin 17 familjeve të fshatit, përfshirë ato Alimehaj, Ukshinaj, Huskaj, Hamzaj, Bobi, Shoshi, Morina, Jahmurataj, Avdullahaj, Bushati, Sylaj, Haradinaj, Rrustemaj, Lokaj, Rexhaj, Tahiraj dhe Berisha. Shumë prej këtyre martirëve u gjetën vite më vonë në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë, fakt ky që konfirmon përpjekjen sistematike të Beogradit për fshehjen e gjurmëve të krimit përmes transportimit të trupave jashtë Kosovës.
Ndonëse këto vrasje u dokumentuan që në vitin 1999 nga Human Rights Watch dhe dëshmitarët okularë, proceset gjyqësore në Serbi mbeten të zvarritura dhe pa rezultate konkrete. Sot, Lybeniqi qëndron si dëshmi e gjenocidit të pandëshkuar, ndërsa familjarët e 79 viktimave presin ende që kriminelët e luftës, të cilët gjejnë strehë në shtetin serb, të dalin para drejtësisë./Korrespodenti




