Pas debatit mbi përçarjet në koalicionin Guxo dhe moszgjedhjes së presidentes Osmani, Albena Reshitaj ka dalë me një reagim të fuqishëm.
Ajo thekson se situata politike në Kosovë po mbetet e paqëndrueshme për shkak të refuzimit të përballjes me problemet nga brenda.
“Në politikë, si në mjekësi, plagët e vjetra nuk shërohen duke i mbuluar nga jashtë. Shpëtimi i qëndrueshëm vjen vetëm kur problemet trajtohen drejtpërdrejt dhe me përgjegjësi,” ka shkruar Reshitaj.
Ajo kritikon politikanët që vendosin interesat personale mbi të mirën e përbashkët dhe nënvizon se ndryshimi dhe pastrimi i “plagëve politike” është i dhimbshëm, por i domosdoshëm për stabilitetin e vendit.
Postimi i plotë:
Në mjekësi mësojmë se plagët e vjetra nuk shërohen duke i mbuluar nga jashtë. Një fashë e pastër mbi një plagë të infektuar është vetëm iluzion kujdesi. Shërimi nis vetëm kur plaga pastrohet nga brenda, kur hiqet ajo që e mban të gjallë qelbëzimin. Vetëm atëherë fillon shpresa e vërtetë.
Edhe politika jonë i ngjan kësaj plage që prej kohësh kullon. Është mbuluar, është fshehur për sy të publikut por kurrë nuk është pastruar në thelb. Dhe sot, paradoksi vazhdon: kërkohet shpëtim nga jashtë, ndërkohë që shmanget përballja me vetveten, me përgjegjësinë dhe me të vërtetën.
Ka pasur e ka ende momente kur inatet politike peshojnë më shumë se shëndeti i shoqërisë, më shumë se stabiliteti i vendit, më shumë se zëri i qytetarëve. Aty ku interesi i ngushtë fiton mbi të mirën e përbashkët, aty e kupton sa thellë ka depërtuar infeksioni i kësaj plage të thellë.
Duhet ta pranojmë: pastrimi dhemb. Dhe ai që merr guximin ta nisë, shpesh bëhet shënjestër sepse pastrimi i një plage të qelbur nuk është i lehtë për askënd. Edhe mjeku, ndonëse shërues, ngjall frikë e dyshim. Ky është realiteti. Sa më gjatë të lihet plaga, aq më i rëndë dhe më i dhimbshëm bëhet trajtimi. Madje vjen një pikë kur as “anestezia” nuk bën më efekt.
Prandaj, a e besoni që shpetimi që po kërkohet nga jashtë mund të jetë i qëndrueshëm, kur refuzohet kategorikisht ndryshimin nga brenda?!
Mos harroni : Së pari pastrohet plaga pastaj fillon shërimi. Pa pastrim s’ka shërim veq kamufllim.
Politika jonë ka nevojë për këtë proces, sado i dhimbshëm të jetë. Përndryshe, rrezikon të kthehet në një sëmundje kronike që gërryen shoqërinë ngadalë. Një shoqëri që neglizhon parandalimin, një ditë përballet me pasoja që nuk shërohen më lehtë.
