Një operacion i gjerë ushtarak i Shteteve të Bashkuara, i koduar “Operation Epic Fury”, ka nisur kundër Iranit, sipas një përmbledhjeje vizuale të publikuar më 28 mars 2026.
Operacioni udhëhiqet nga Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) dhe synon dobësimin e kapaciteteve ushtarake dhe të sigurisë së regjimit iranian, shkruan IndeksOnline.
Sipas të dhënave të para, mbi 11,000 objektiva janë goditur deri më tani, ndërsa janë kryer gjithashtu më shumë se 11,000 fluturime luftarake. Raportohet se mbi 150 anije iraniane janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë operacionit.
Operacioni ka në shënjestër një gamë të gjerë objektivash strategjikë, përfshirë qendrat e komandës dhe kontrollit, selitë dhe strukturat e Gardës Revolucionare, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe bazat raketore balistike
Operacioni përfshin një arsenal të gjerë të forcave amerikane në ajër, det dhe tokë.
Në komponentin ajror janë përfshirë bombardues strategjikë dhe avionë luftarakë modernë F-22 dhe F-35. Gjithashtu po përdoren dronë MQ-9 dhe avionë zbulimi.
Në det, janë angazhuar aeroplanmbajtëse me energji bërthamore, nëndetëse dhe shkatërrues me raketa të drejtuara.
Ndërkohë, në tokë janë dislokuar sisteme mbrojtëse si Patriot dhe THAAD, si dhe artileri me lëvizshmëri të lartë.
Sipas deklaratës së Komandës Qendrore të SHBA-së, objektivi kryesor është “çmontimi i aparatit të sigurisë së regjimit iranian”, duke prioritizuar objektivat që paraqesin kërcënim të menjëhershëm.
