Zëvendës kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka njoftuar përmes një postimi në “Facebook” se ka marrë një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman. Në letër Bislimi është njoftuar lidhur me vendimet e Komisionit Evropian për heqjen e shumicës së masave të BE-së ndaj Kosovës.
Sipas Bislimit, vendimi hap rrugë për realizimin e projekteve të shumta zhvillimore në kuadër të programeve IPA, duke përforcuar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.
“Gjatë ditës së sotme kam pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro.
Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, shkruan ai.
