Çështja e diskutueshme që lidhet me rolin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq gjatë luftës në BeH, përfshirë pretendimet se ai ka marrë pjesë në qitjet snajperiste ndaj civilëve në Sarajevë, është riaktualizuar sërish.
Këtë herë nga një hetim i ri që është hapur në Itali. Hetimi i Prokurorisë në Milano mbi të ashtuquajturin “Snajper Safari”, ku dyshohet se persona të pasur paguanin për të qëlluar civilë gjatë rrethimit të Sarajevës, ka rikthyer në qendër të vëmendjes emrin e presidentit të Serbisë, duke rihapur debatin mbi akuzat e mëhershme.
Një hetim mbi që po zhvillohet në Itali ka rikthyer në qendër të vëmendjes deklaratat e bëra një vit më parë nga ministri i Mbrojtjes së Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, Helez kishte pohuar se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte qëlluar me snajper mbi civilët gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet ’90.
Ky skandal ndërkombëtar, i publikuar së fundmi nga mediat e huaja, ka ringjallur interesin për deklaratat e Helezit, i cili kishte thënë publikisht se Vuçiq ishte në mesin e atyre që qëlluan ndaj civilëve gjatë luftës në Bosnjë.
“Nuk jam aspak i befasuar nga deklaratat e tij. Çfarë tjetër mund të pritet nga një njeri që publikisht ka bërë thirrje të vriten 100 myslimanë për një serb, nga një njeri që nga Varrezat Hebraike ka qëlluar me snajper mbi civilët në Sarajevë.
Tutje, Helez pati deklaruar “kur je ministër i mbrojtjes, atëherë ke qasje në informacione dhe njerëzit vetë vijnë e t’i përcjellin ato. Së fundi kam biseduar me tre pjesëtarë të Ushtrisë së RS-së, të cilët më kanë pranuar se kanë qenë në Varrezat Hebraike në kohën kur aty ishte edhe Vuçiqi, dhe se presidenti i sotëm i Serbisë ka qëlluar me snajper mbi qytetarët e Sarajevës”, kishte shkruar Helez në rrjetet sociale.
Helez ka pohuar se kishte biseduar me tre ish-pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Serbe, të cilët i kishin rrëfyer se Vuçiq ndodhej në varrezat hebraike të Sarajevës dhe kishte qëlluar mbi qytetarët e rrethuar. Ai e kishte përshkruar këtë si “një atraksion makabër me trupa njerëzish”.
Kujtojmë se edhe radikali serb Vojislav Sheshel, në vitin 1995 kishte vizituar formacionet paraushtarake serbe që mbanin Sarajevën nën rrethim, dhe në vijën e frontit atë e kishte përshëndetur edhe presidenti aktual i Serbisë, Vuçiq.
Ajo që e bën edhe më tronditëse situatën është fakti se në një incizim të publikuar së fundmi, Vuçiq shihet duke u shtrënguar duart me Sheshelin ndërsa mban në dorë një pushkë automatike.
Vetë Sheshel edhe gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka konfirmuar se Vuçiqi ka qenë “vullnetar i Partisë Radikale Serbe te Slavko Aleksiq në Varrezat Hebraike në Sarajevë, dhe më pas ka punuar në televizionin Pale”.
Ndërkohë, hetimi që po zhvillohet në Milano ka zbuluar se disa shtetas italianë të pasur dyshohet se kanë paguar ushtarë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës për t’i çuar në pozicionet përreth Sarajevës, në mënyrë që të qëllonin mbi civilët për “argëtim”.
Sipas The Guardian, hetimin e drejton prokurori Alessandro Gobbi, pas një kallëzimi të bërë nga shkrimtari milanez Ezio Gavazzeni, i cili kishte mbledhur prova për fenomenin makabër të njohur si “turizëm lufte”.
Gavazzeni ka deklaruar se dhjetëra italianë, gjermanë, francezë dhe shtetas të tjerë perëndimorë – njerëz të pasur dhe të fiksuar pas armëve – paguanin shuma të mëdha për të marrë pjesë në qitje ndaj civilëve boshnjakë nga kodrat përreth Sarajevës.
“Nuk kishte motive politike apo fetare – ishte thjesht argëtim i sëmurë”, tha Gavazzeni, duke theksuar se “shumë, shumë italianë” mund të kenë qenë të përfshirë në këtë krim të pashpirt.
Hetimi është nxitur gjithashtu nga raporti i ish-kryetares së Sarajevës, Benjamina Kariq, dhe nga dokumentari “Sarajevo Safari” (2022) i regjisorit slloven Miran Zupaniq, në të cilin një ish-ushtar serb pranon se të huaj paguanin për të qëlluar mbi civilët në qytet.
Rrethimi i Sarajevës konsiderohet më i gjati në historinë moderne – mbi 10 mijë njerëz u vranë nga granatimet dhe zjarri i snajperëve gjatë katër viteve të tmerrit (1992–1996).
Rruga kryesore “Bulevardi Mesha Selimoviq” u quajt “Rruga e Snajperëve”, pasi aty vdisnin çdo ditë kalimtarë të zakonshëm, përfshirë gra e fëmijë.
Hetimi në Itali pritet të hedhë dritë mbi një nga aspektet më të errëta të luftës në Bosnjë – mizoritë që, për disa, u kthyen në “argëtim” të përgjakshëm.
