A mund t’i rifitojë vërtet Ukraina territoret e humbura? Nga Donbasi te lufta hibride, cilat janë pengesat kryesore.
“Rusia është një tigër letre.” Deklarata erdhi nga Presidenti amerikan Donald Trump, pas një takimi në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ky i fundit raportoi për “progres në terren” dhe pretendoi se ushtria e tij kishte çliruar 360 kilometra katrorë në vetëm një muaj. Por përtej diplomacisë dhe retorikës politike, realiteti në front mbetet i ashpër dhe i ndërlikuar.
Një front i ngrirë përpara dimrit
Javët e ardhshme janë vendimtare përpara se moti i ftohtë të bllokojë lëvizshmërinë në vijën e zjarrit. Rusia kërkon një fitore taktike që do t’i japë Presidentit Putin një pozicion më të fortë në negociata të mundshme dhe një levë presioni ndaj Kievit. Nga ana tjetër, forcat ukrainase, pas një vere të lodhshme dhe me rotacione që kanë nisur që në pranverë, po përpiqen të mbajnë vijat mbrojtëse, veçanërisht në Lindje dhe Juglindje, ku çdo humbje e një qendre strategjike mund të çojë në shembje të frontit.
Kupiansku: simbol rezistence apo kurth vdekjeprurës?
Sytë e analistëve janë aktualisht të përqendruar në drejtimin juglindor dhe veçanërisht në rajonin e Kharkivit. Forcat ruse kanë përparuar në disa zona – mes tyre Novomykolaivka (Oblasti Dnipropetrovsk) dhe Novoivanivka (Oblasti Zaporizhia) – dhe raportojnë për fitore pranë tre vendbanimeve të tjera.
Kupiansku është shndërruar në simbolin e kësaj përplasjeje strategjike. Moska pretendon se qyteti është në prag të kolapsit, ndërsa raportet perëndimore, përfshirë Institutin për Studimin e Luftës (ISW), paralajmërojnë për një kurth të përgatitur nga ukrainasit: trupat ruse u futën në tubacione të përdorura më parë në Avdijivka për të hyrë në qytet, por u përmbytën qëllimisht nga mbrojtësit ukrainas – një taktikë e thjeshtë, por vdekjeprurëse.
Një “Luftë e Parë Botërore” e shekullit XXI
Situata në terren po merr gjithnjë e më shumë formën e një lufte pozicionesh. Ish-komandanti i ushtrisë ukrainase, Valery Zaluzhny, e ka krahasuar këtë bllokim me Luftën e Parë Botërore – me një ndryshim të rëndësishëm: përdorimin masiv të dronëve dhe sensorëve që e kanë kthyer fushën e betejës në një zonë vdekjeprurëse prej mbi 20 kilometrash. Çdo nxehtësi trupore, çdo sinjal radio, çdo lëvizje – mund të nënkuptojë eliminim të menjëhershëm.
Lufta hibride: nga rafineritë në qiellin evropian
Në prapaskenë, lufta hibride vazhdon me intensitet të lartë. Prej gushtit, Ukraina ka goditur më shumë se 30 rafineri dhe impiante nafte në territorin rus, duke reduktuar kapacitetin e rafinimit me mbi 1 milion fuçi në ditë. Sulmi më i fundit ndodhi mbrëmë në tubacionet në Bryansk dhe Samarë – sipas burimeve ukrainase të UAS (Sistemet Ajrore Pa Pilot).
Kremlini, ndërkohë, ka intensifikuar sulmet kibernetike dhe me dronë në brendësi të Rusisë dhe përtej kufirit. Aeroporti i Moskës (Sheremetyevo) u mbyll përkohësisht, ndërsa valë sulmesh informatike goditi edhe aeroporte në Kopenhagen, Oslo, Berlin dhe Bruksel. Dyshimet lidhen me përfshirjen e anijeve me flamur rus të cilat shërbejnë për eksportin e naftës – një detaj që shënon edhe ndërthurjen e luftës ekonomike me atë ushtarake.
Një “mur evropian” kundër dronëve?
Përballë kërcënimeve të përhershme ndaj krahut lindor të NATO-s dhe rrjetit të sigurisë ajrore evropiane, Brukseli ka nisur të mendojë seriozisht për ndërtimin e një mburoje të re: një sistem të centralizuar kundër dronëve. Të premten pritet një takim ndërmjet Komisionerit Evropian të Mbrojtjes, Andrius Kubilius, dhe liderëve të vendeve kufitare me Rusinë (me përjashtim të Hungarisë), për të diskutuar krijimin e një “muri evropian kundër dronëve”.
Por në prapaskenë qëndron një rrezik strategjik: nëse burimet evropiane fillojnë të ridrejtohen drejt mbrojtjes së territorit të tyre, ndihma për Kievin mund të zbehet. Një dinamikë që Moska nuk do të ngurrojë ta shfrytëzojë./Corriere della Serra