Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës dhe njeriu që për disa vite ka udhëhequr LDK-në, Isa Mustafa, në një përgjigje për Gazetën Express ka folur për vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të udhëzojë Agjencinë Kadastrale t’ia regjistrojë 24 hektarët e shumë kontestuar Manastirit të Deçanit.
Ish-kreu i LDK-së ka sqaruar se sot Qeveria Kurti s’po e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por atë të Dhomës së veçantë të Gjykatës Supreme, për të cilin Kushtetuesja s’kishte konkluduar nëse është i drejtë apo jo, por se është përfundimtar dhe s’ka mundësi për procese të tjera.
Mustafa ka thënë se Qeveria Kurti ka vepruar sot në interes të vendit, edhe pse shton se po ta kishin bërë partitë e tjera këtë veprim do të etiketoheshin si tradhtarë, nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurti.
“Në këtë rast, Qeveria nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese siç po pretendohet por vendimin e Dhomës së veçantë të Gjykatës Supreme, për të cilin Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë se është i drejtë apo i padrejtë, por se është përfundimar dhe s’ka mundësi për procese tjera. Mendoj se qeveria ka vepruar në interes të vendit ( edhe pse po ta kishim bërë ne të tjerët këtë veprim do të na etiketonin për tradhtar)”, ka thënë Mustafa.
Tutje ish-shefi i ekzekutivit ka thënë se Qeveria e Kurtit dhe qeveritë e tjera do të ballafaqohen në të ardhmen edhe me vendime të hidhura dhe do ta shohin se është më e rëndë të qeverisësh sesa të bësh opozitë qoftë edhe me molotov sikurse Lëvizja Vetëvendosje.
Mustafa potencon se ata që kujdesen për paqen dhe rendin botëror të bëjnë punën që edhe molotovin ta konsiderosh “si pije freskuese”
“Prandaj kjo, dhe qeveritë e tjera do të ballafaqohen me vendime të hidhura dhe do ta shohin se shumë më e rëndë është të qeverisës sesa të bëshë opozitë qoftë edhe me molotov si VV-ja. Ata që kujdesen për paqen dhe rendin botëror ta bëjnë punën që edhe molotovin ta konsiderosh si pije freskuese”, ka thënë Mustafa.
Sa i përket asaj e Kurti e kishte cilësuar në të kaluarën si “vendim të regjimit të Millosheviqit” çështjen e faljes së 24 hektarëve për Manastirin e Deçanit, Mustafa ka thënë se do të ishte jo reale që të mendohet se Kosova ka kapërcyer krejtësisht pasojat e regjimit të Millosheviqit.
Ai për Express ka thënë se pasojat e atij regjimi s’kanë të bëjnë vetëm me 24 hektarët apo me disa hektarë të Kishës Ortodokse serbe në oborrin e UP-së, por edhe me prona e pasuri të shkatërruara nga lufta e me mbi 13 mijë viktima dhe 20 mijë dhunime.
Mustafa ka thënë se është detyrë e shtetit që të gjejë zgjidhje për të ecur përpara dhe për të mos mbetur peng i veprimeve të Millosheviqit, meqë ai [Millosheviqi] thotë se e ka marrë dënimin e vet me veprimet e NATO-s dhe luftën e UÇK-së.
“Janë pasojë që i ndjejmë çdo ditë. Prandaj detyrë e shtetit është të gjejë zgjidhje, të ec përpara, të mos mbetet peng e veprimeve të Millosheviqit, sepse ai e ka marrë dënimin e vet ndërkombëtarë me veprimet e NATO-s dhe me luftën e UÇK-së”, ka përfunduar Mustafa për Gazetën Express.