Posedimi i armëve është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to. E këto raste bëhen akoma më të rënda kur përfshihen të miturit, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu, një kontroll policor në fshatin Shupkovc të Mitrovicës ka rezultuar me sekuestrimin e një spreji të cilësuar si armë, të cilin i dyshuari nuk kishte autorizim ta mbante.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rreth orës 19:30, policia ndaloi një veturë me targa serbe, ku gjatë kontrollit në bagazhin e brendshëm u gjet spreji. Vozitësi, Arlind Spahija, rreth 22-vjeçar, është shoqëruar në polici.
Me rekomandimin e prokurorit, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.