22 minuta për Iranin, 28 vite ‘heshtje’ për Serbinë: Politika e Tiranës nën akuzë për standarde të dyfishta

Me 79 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër, të martën Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projekt rezolutën për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit.Gjatë votimit, Redi Muçi ka abstenuar, ndërsa opozita nuk ka marrë pjesë në seancë kjo pas vendimit për bojkot.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në seancë u shpreh se terrorizmi nuk është vetëm akt dhune por minim i rendit demokratik.

Ai theksoi se Shqipëria mbetet një shtet i lëkundur në këtë luftë dhe anën e shtetit të së drejtës. Balla rikujtoi edhe sulmin kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë duke e cilësuar akt armiqësor. Ndër të tjera, Balla theksoi se synojnë të dënojnë çdo formë të mbështetjes së agresionit.

Ai gjithashtu u kërkoi kolegëve të votojnë që ta shpallin Gardën Revolucionare të Iranit, organizatë terroriste. Seanca plenare përfundoi pas votimit dhe zgjati 22 minuta.

22 minuta ishte koha për ta shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit, ndërsa 28 vjet pas gjenocidit të Serbisë në Kosovë, Kuvendi i Shqipërisë nuk mori ‘mundin’ ta shpallë Serbinë vend gjenocidial.

Në tetor të vitit të kaluar (16 tetor 2025), Kuvendi i Shqipërisë, nuk kishte miratuar kërkesën e Partisë Demokratike për një rezolutë që e dënon gjenocidin serb në Kosovë.

PD e ka cilësuar mosmiratimin si një “akt të rëndë politik dhe moral”, duke akuzuar mazhorancën për shmangie nga e vërteta historike. Sipas tyre, një rezolutë e tillë është e domosdoshme për të njohur krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë dhe për të respektuar viktimat.

Në anën tjetër, përfaqësues të mazhorancës PS kanë argumentuar se çështje të tilla kërkojnë trajtim më të gjerë institucional dhe koordinim ndërkombëtar. Ata kanë theksuar se nuk janë kundër dënimit të krimeve, por kundër politizimit të tyre për qëllime të brendshme politike.

Pas votimit të projekt rezolutës për Iranin dhe mos votimit të kërkesës për rezolutën që dënon gjenocidin serb në Kosovë, lind pyetja nëse ekzistojnë standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve të sigurisë dhe terrorizmit në politikën shqiptare dhe se a do të duhej që një vend si Shqipëria fillimisht të merret me vendin fqinj i cili ka ushtruar gjenocid mbi shqiptarët gjatë luftës në Kosovë.

Tirana e krizave politike

Analisti Skënder Zogaj, thotë se Shqipëria mbetet vend i anomalive të çoroditura.

Ai i konsideron të pritshme dhe aspak të habitshme vendimet e Kuvendit të Shqipërisë.

“Shqipëria mbetet vend i anomalive të çoroditura; prandaj, edhe pas 114 vitesh nga shpallja si vend i lirë dhe i pavarur, nuk ka arritur të bëhet një shtet as përafërsisht normal dhe mesatarisht funksional, në kuptimin e realizimit të vetëqeverisjes së dobishme për shtetasit e vet. Përkundrazi, për plot 114 vjet, Tirana zyrtare është sjellë e është përpëlitur në kazanin e krizave të vazhdueshme politike e shtetërore, të shkaktuara nga regjime destruktive, të cilat Shqipërinë e kanë shndërruar në një livadh të shkretë, që e kullosin kuaj të verbër. Në këto rrethana, janë të pritshme dhe aspak për t’u habitur vendimet e Kuvendit të Shqipërisë, i cili drejtohet nga një figurë me trashëgimi politike të lidhur me të kaluarën komuniste, si dhe me një histori familjare të përfshirë në vendime tragjike ndaj intelektualëve atdhetarë, siç ishte rasti i mësuesit dhe poetit Havzi Nela”, deklaron Zogaj.

Sipas Zogajt, me drejtim të tillë në Shqipëri edhe Kuvendi shpesh vepron në mënyrë të çoroditur.

Duke mos e parë terrorizmin në tokat etnike shqiptare, por në vend të largët si Irani, Zogaj ‘godet’ individë e grupe që sipas tij, në oborrin e tyre kanë plot probleme e papastërti, ndërsa flasin për papastërtitë në oborret e të tjerëve.

“Me një drejtim të tillë në krye të vendit, është e kuptueshme që Kuvendi i Shqipërisë vepron shpesh në mënyrë të çoroditur, jashtë standardeve të mirëfillta demokratike, duke e deformuar politikën shqiptare me standarde të dyfishta e të shumëfishta. Dëshmi për këtë është edhe miratimi i një rezolute që e cilëson Iranin si sponsor të terrorizmit, ndërkohë që i njëjti institucion nuk ka miratuar kërkesën për një rezolutë mbi gjenocidin serb në Kosovë. Pra, nuk e sheh terrorizmin në tokat etnike shqiptare, ndërsa e sheh atë në një vend të largët si Irani. Dhe këtë e bëjnë individë e grupe që, ndonëse kanë oborrin e tyre plot probleme e papastërti, flasin për papastërtitë në oborret e të tjerëve”, shton analisti.

Pas votimit të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, ku shpalli Iranin sponsor të terrorizmit, ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Sa’ar.

Ai ka përshëndetur këtë rezulutë duke vlerësuar Shqipërinë për mbështetjen e saj.

“Unë përgëzoj Kryeministrin e Shqipërisë @ediramaal dhe Parlamentin e Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, e cila shpall Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit. Në fjalët e rezolutës: Terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Kjo është një tjetër demonstrim i qartë i dimensionit moral në politikën e jashtme të Shqipërisë”, thuhet në reagimin e tij.

Rezoluta pa impakt, servilosje ndaj perëndimit

Edhe analisti nga Shqipëria, Ilir Vata, thotë se politika zyrtare e Tiranës duhet ta kishte nisur me rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë.

Sipas tij, rezoluta për Iranin nuk ka asnjë impakt diplomatik në arenën ndërkombëtare dhe kjo është servilosje tipike e politikës së Tiranës.

“Mendoj se politika zyrtare e Tiranës duhet ta kishte nisur me rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë, pasi dihet botërisht që Serbia, me Sllobodan Millosheviçin, ka ndërmarrë krime çnjerëzore ndaj shqiptarëve në Kosovë, dhe Gjykata e Hagës ka dënuar për krime kundër njerëzimit krerët e këtij gjenocidi. Në rastin e rezolutës së Kuvendit për Iranin, mendoj se nuk ka asnjë impakt diplomatik në arenën ndërkombëtare; thjesht është një qokë ndaj Perëndimit, një servilosje tipike e politikës së Tiranës”, deklaron Vata.

Politika e Tiranës zyrtare i bie tangent Kosovës, thotë Vata dhe deklarimin e tij e lidh edhe me editorialin e fundit Rama- Vuçiq.

“Mendoj se politika e Tiranës zyrtare i bie tangent Kosovës. Kjo lidhet edhe me qëndrimin e fundit të editorialit Rama–Vuçiç, duke anashkaluar Kosovën dhe hartuar një skicë të re të anëtarësimit në BE, në kundërshtim me vetë kriteret e BE-së. Fakti që BE hoqi sanksionet ndaj Kosovës tregon se porta e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është e hapur dhe sipas meritës, dhe Kosova ka bërë progres më shumë se Shqipëria”, shprehet analisti.

Ai konsideron se Serbia ka lidhje të ngushta me Tiranën zyrtare, gjersa paralajmëron lëvizje të tjera në dëm të Kosovës që do të thotë se kjo nuk është tradhtia e fundit.

“Nuk mendoj se rezoluta për Iranin është karshillëk për Kosovën, por mosmiratimi i rezolutës për gjenocidin serb ka të bëjë me kërkesën që Serbia i ka bërë Shqipërisë. Pra është Serbia ajo që ka lidhje të ngushta me Tiranën zyrtare. Kjo trajektore e vendosur nga Tirana zyrtare nuk kalon nga Kosova, por nga Serbia. Mendoj se Kurti e njeh të vërtetën e këtij kursi, pasi ka të bëjë me ndarjen territoriale të Kosovës, e cila tashmë ka dështuar, falë edhe qëndrimit të Kurtit dhe ndërkombëtarëve. Kosova është në rrugëtimin e pandalshëm drejt BE-së dhe anëtarësimit në NATO dhe s’ka kurth tradhtarësh që e ndalon. Do të kemi lëvizje të tjera në dëm të Kosovës, që do të thotë se kjo nuk është tradhtia e fundit. Aktualisht, e rëndësishme është strategjia kombëtare Kosovë–Shqipëri dhe e vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarë, por kjo strategji mungon sepse Tirana zyrtare ka marrëdhëniet më të këqija në rajon. Pra, Kosova dhe Shqipëria”.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME