Nepali është përfshirë nga trazira të dhunshme pas protestave që shpërthyen kundër ndalimit të mediave sociale dhe korrupsionit në vend. Bilanci është tragjik: 19 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, sipas mediave ndërkombëtare, transmeton Korrespodenti.
Përplasjet nisën kur mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të gjeneratës “Gen Z”, dolën në rrugë duke sfiduar ndalimin e qeverisë ndaj 26 platformave sociale, përfshirë Facebook, X dhe YouTube. Policia përdori gaz lotsjellës, plumba gome dhe më pas armë zjarri për të shpërndarë turmën, por reagimi solli përshkallëzim të dhunës.
Protestuesit arritën të thyenin kordonët e sigurisë dhe të hynin në ndërtesën e Parlamentit, të cilës i vunë zjarrin. U raportua gjithashtu për sulme ndaj shtëpive të disa zyrtarëve të lartë, përfshirë kryeministrin dhe presidentin e vendit.
Në kulmin e revoltës, kryeministri K. P. Sharma Oli dha dorëheqjen, ndërsa ministri i Brendshëm, Ramesh Lekhak, u largua pas kritikave për dhunën e përdorur nga forcat e rendit. Qeveria u detyrua të tërhiqte ndalimin e mediave sociale.
Autoritetet kanë shpallur orë policore dhe ndalim të tubimeve publike, por situata në vend mbetet e tensionuar. Ekspertët vlerësojnë se kjo është vala më e madhe e protestave në Nepal në dekadat e fundit, duke pasqyruar jo vetëm kërkesën për liri në rrjete sociale, por edhe pakënaqësinë e gjeneratës së re ndaj korrupsionit dhe keqmenaxhimit qeveritar. /Korrespodenti