Policia e Vlorës njoftoi ditën e premte se ka arrestuar një 14-vjeçar nën akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Sipas bluve të qytetit bregdetar, i mituri kishte fshehur një pistoletë dhe municion pranë një banese, ngjarje e cila u zbulua përmes një videoje që ai kishte postuar në rrjetet sociale.
Ndërkohë, i ati i të miturit të arrestuar tregon krejt të kundërtën. Sipas tij, djali i kishte treguar një sfidë në Tik-Tok dhe pas saj kishte parë videon me armë.
Bardhosh Tozaj shprehet se ka qenë ai vetë që ka shkuar në polici për të bërë denoncimin për armën që djali së bashku me dy shokë e kishin gjetur në një banesë të braktisur.
“Ishte shpërndarë një informacion sikur djali qarkullonte në shkollë me armë. Ky është një lajm i rremë. Informacionin policisë ia kam dhënë unë. Marr shkas nga një video që kishte bërë djali dhe u shqetësova. Qarkullonte një lojë në Tik Tok dhe shkova në shkollë dhe shpreha shqetësimin. Më pas u tregova se pashë një video me pistoletë dhe nuk e dija ishte lodër apo e vërtetë. Erdhi policia dhe pastaj ndoqëm rastin. E kishin gjetur pistoletën në një objekt të pabanuar. Kanë shkuar kanë bërë video dhe më pas e fshehën”, tha mes të tjerash babai i të miturit.