Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda – Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, ka ndaluar dhjetë (10) persona të dyshuar për përfshirje në një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit zyrtar, personat e ndaluar dyshohen për kryerjen e veprave penale si:
Ushtrimi i ndikimit (neni 424),
Marrja e ryshfetit (neni 421),
Dhënia e ryshfetit (neni 422),
Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar(neni 414) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Bastisjet janë realizuar në disa lokacione të ndryshme, ndërsa gjatë operacionit policor janë sekuestruar dëshmi materiale që përfshijnë: armë automatike (kallashnikovë), armë gjuetie, municion, para të gatshme, telefona celularë dhe pajisje kompjuterike.
Nga të dhënat e deritanishme hetimore, të ndaluarit janë zyrtarë publikë, të cilët dyshohet se kanë kërkuar ryshfet nga kandidatë për pajisje me patentë shofer, duke u mundësuar në mënyrë të paligjshme kalimin e procedurave për marrjen e patentës.
Hetimet për këtë rast janë zhvilluar për disa muaj me masa të fshehta hetimore, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe në koordinim të ngushtë me prokurorin e shtetit.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për luftimin e korrupsionit dhe paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme për parandalimin e veprave të tilla penale.