Sovjetikët organizuan 3 grushte shteti në Shqipëri. Çfarë shkruante New York Times në 1982

“Nëse Perëndimi nuk krijon një kordon mbrojtës diplomatik për Shqipërinë, duket e mundshme që ajo përsëri të bjerë nën Bashkimin Sovjetik – një ngjarje që mund të paralajmërojë zhvendosjen më drastike në ekuilibrin e fuqisë Evropiane, që nga Lufta e Dytë Botërore”. Kjo ishte frika më e madhe e shprehur në një analizë të të përditshmes prestigjoze New York Times, në vitin 1982 dhe që bota.al e sjell sot në shqip.

Sipas të përditshmes amerikane, sovjetikët nuk e kanë harruar 1961-shin kur u dëbuan nga shqiptarët. Ata kanë organizuar tre grushte shteti, dhe duke patur parasysh sëmundjen e Enver Hoxhës dhe lajmet për vetëvrasjen e Mehmet Shehut, mund të jenë duke organizuar një të katërt, bashkë me një pushtim nga ajri, toka dhe deti. Sipas kësaj analize, për sovjetikët Shqipëria ishte e rëndësishme për dominimin e Mesdheut, njësoj si Hauai për dominimin e Paqësorit nga SHBA.

Lexoni më poshtë analizën e plotë:

Nga Eric Margolis

Shqipëria, vendi më pak i njohur evropian, mund të jetë skena e një ndryshimi drastik në ekuilibrin e fuqisë Lindje-Perëndim. Vlera strategjike e Shqipërisë, megjithëse harrohet praktikisht në Perëndim, është kuptuar plotësisht nga Moska. Në afërsi të Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë, Shqipëria me dy porte të shkëlqyera të ujërave të thella, në Vlorë dhe Durrës, dominon gadishullin Ballkanik dhe hyrjen në Detin Adriatik. Bregu italian është vetëm 50 milje larg, përtej ngushticës së Otrantos.

Në vitin 1961, Shqipëria u bë i vetmi vend që dëboi me sukses forcat “okupuese” Sovjetike dhe një establishment pro-konsullor. Në atë kohë, lideri i partisë Enver Hoxha, një admirues i madh i Stalinit, prishi papritmas të gjitha lidhjet me Moskën për shkak të programit të de-stalinizimit të Nikita S. Hrushovit. Rusët sapo ishin duke përfunduar një kompleks instalimesh detare dhe vendqëndrimesh nënujore për nëndetëse në ishullin e gurtë të Sazanit, i njohur si “Gjibraltari i Adriatikut”, në portin e Vlorës. Sazani, dhe bazat e tij ajrore dhe logjistike shoqëruese në Shqipërinë kontinentale, do të kishin qenë baza pararojë, nga e cila Kremlini do të përhapte ndikimin e vet në të gjithë Evropën Jugore dhe në Lindjen e Mesme.

Shqiptarët i morën të gjitha këto instalime, duke dëbuar mijëra këshilltarë sovjetikë dhe madje duke marrë dy nëndetëse. Megjithëse i indinjuar, Bashkimi Sovjetik nuk ishte në gjendje të organizonte një përgjigje efektive ushtarake sepse 21 vjet më parë, kur Flota e Gjashtë e Shteteve të Bashkuara mbizotëronte në Mesdhe, rusëve u mungonte forca ajrore dhe amfibe me rreze të gjatë veprimi.

Rusët nuk e kanë harruar këtë poshtërim nga një vend me 2.5 milion banorë dhe modeli i veprimtarive antishqiptare të Moskës gjatë dy dekadave të fundit, tregon se rivendosja e kontrollit mbi Shqipërinë është një qëllim i rëndësishëm i strategjisë së madhe të Kremlinit.

Provat e prekshme të interesit të Moskës për të përmbysur regjimin e Shqipërisë kanë qenë të qarta. KGB, duke përdorur një kolonë të gjerë të pestë pro-sovjetike në Shqipëri, ka organizuar të paktën tre përpjekje grushte shteti.

Sot, ngjarjet në Shqipëri mund t’i paraqesin Moskës mundësinë që ka pritur me shumë durim. Z. Hoxha, 73 vjeç, raportohet të jetë në gjendje të keqe shëndetësore. Lajmi i radios shqiptare për ”vetëvrasjen për shkak të depresionit nervor” të Mehmet Shehut, i dyti në komandë, sugjeron praninë e presioneve në rritje në Partinë Komuniste Shqiptare, ndërsa dita e lënies së trashëgimtarit afrohet.

Ndjesia e njëshansi të ri për Moskën padyshim që rritet nga izolimi i plotë i Shqipërisë. Amerika kapitaliste është armiku numër 1 i Z. Hoxha, i ndjekur nga Bashkimi Sovjetik. Pas vdekjes së Mao Ce Dunit, Shqipëria futi Kinën, dikur aleatin e saj të vetëm, në një grup me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik. Jugosllavët dhe grekët, armiq tradicionalë të shqiptarëve, kanë ende projekte territoriale për Shqipërinë. Në procesin e ruajtjes së pastërtisë ideologjike marksiste të vendit të tij, zoti Hoxha e ka lënë atë fare pa miq ose aleatë.

Skenari sovjetik për veprim kundër Shqipërisë mund të jetë i parashikueshëm: një grusht shteti që pason operacionet e suksesshme në Çekosllovaki dhe Afganistan. Ndryshe nga situata në vitin 1961, Bashkimi Sovjetik sot ka forca të bollshme për ndërhyrje me rreze të gjatë dhe nuk jeton më me frikë nga Flota e Gjashtë. Forcat ajrore mund të hidhen në Shqipëri, të kapin pistat kryesore të avionëve dhe të sjellin pajisje të rënda dhe forca të blinduara. Forcat amfibe nga skuadriljet e Detit të Zi dhe Mesdheut do të izolonin dhe mbështillnin Shqipërinë. Rezistenca nga ushtria dhe policia prej 50,000 njerëzish e Shqipërisë, do të shtypej shpejt.

Shqipëria mund të bëhet baza më e rëndësishme pararojë e Bashkimit Sovjetik, aq e rëndësishme për ambicien e saj shekullore për të kontrolluar Mesdheun dhe Lindjen e Mesme, ashtu siç është Hauaii për dominimin e Paqësorit nga Shtetet e Bashkuara. Pasojat politike të pranisë së Ushtrisë së Kuqe 50 milje nga Italia dhe disa qindra milje në veri të Athinës mund të imagjinohen kollaj.

Por imagjinata duket se mungon në Uashington. Mungesa e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë që nga Lufta e Dytë Botërore e ka çuar Perëndimin në një lloj amnezie për ekzistencën e saj, dhe dikush pyet veten nëse ka ndonjë plan rezervë për t’u përballur me një krizë atje.

As Shtetet e Bashkuara dhe as Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut nuk kanë mbështetur zyrtarisht pavarësinë e vazhdueshme të Shqipërisë, duke e lënë Moskën me synimin joshës të një çmimi të vlefshëm strategjik, që mund të kapet pa rrezikun e një reagimi efektiv Perëndimor. Nëse një regjiment ajror Sovjetik do të ulej në aeroportin e Tiranës, përgjigja e mundshme e Uashingtonit do të ishte, “Ku është Tirana?”

Nëse Perëndimi nuk krijon një kordon mbrojtës diplomatik për Shqipërinë, duket e mundshme që ajo përsëri të bjerë nën Bashkimin Sovjetik – një ngjarje që mund të paralajmërojë zhvendosjen më drastike në ekuilibrin e fuqisë Evropiane, që nga Lufta e Dytë Botërore. / The New York Times (1982) – Bota.al

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here