Një video nga Madridi është bërë virale, ku shihet një protestuese që puth helmetën e një polici dhe i bën me sy, ndërsa brohoriten parulla pro-Palestinë dhe kundër Izraelit. Artikulli u publikua më 16 shtator 2025 nga ummid.com, transmeton Korrespodenti.
Prej disa ditësh, Spanja ka qenë skenë protestash kundër Izraelit dhe në mbështetje të Palestinës. Më e madhja u mbajt të dielën, më 14 shtator 2025, në Madrid, duke ndërprerë finalen e garës së njohur të çiklizmit La Vuelta a España.
Gara kishte nisur në Torino, Itali, më 23 gusht dhe do të mbyllej në Madrid, por u ndërpre kur protestuesit bllokuan sheshin e finales. Organizatorët njoftuan se etapa e fundit u pezullua për arsye sigurie dhe nuk pati ceremoni podiumi. Fituese u shpall danezi Jonas Vingegaard.
Më shumë se 1.000 policë u vendosën në kryeqytet për të menaxhuar turmat që brohorisnin: “Palestina fiton, të drejtat e njeriut fitojnë, popujt fitojnë dhe paqja fiton. Izraeli humb, padrejtësia humb, imperializmi humb.”
Momenti që pushtoi rrjetet
Pikërisht në këtë atmosferë u regjistrua momenti i çuditshëm kur një grua protestuese iu afrua policit, i puthi helmetën dhe i bëri me sy. Media spanjolle El Español e përshkroi si një moment flirtimi mes tyre, duke shtuar se nuk ka detaje për identitetin apo ndonjë lidhje mes të dyve.
Në video shihet polici duke buzëqeshur, ndërsa në sfond valëvitet flamuri palestinez dhe dëgjohen parullat e protestuesve.
El escándalo de La Vuelta en España arranco cuando la mujer y el policía estaban de levante.
Viva el amor 🫶🏻 pic.twitter.com/1pgLbhtwLm
— Poirot (@Argenpoirot) September 14, 2025
Videoja shkaktoi reagime të shumta në internet. Disa përdorues e përshkruan si “një skenë dashurie në mes të protestës”, të tjerë e quajtën “takim mes të dashuruarve”. Madje, disa faqe në Indi e shpërndanë gabimisht si “bashkëshortë që u përballën rastësisht në protesta”.
Megjithatë, kjo nuk është e vërtetuar dhe mbetet thjesht spekulim i rrjeteve sociale.
Disa përdorues gabuan edhe në fakt-check, duke thënë se bëhej fjalë për italianen Nina De Chiffre. Por kjo është e pasaktë. Fotografia e saj, ku puthte helmetën e një polici gjatë një proteste kundër një hekurudhe në Alpe, është e vitit 2013 dhe s’ka lidhje me ngjarjen e Madridit.
Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez lavdëroi protestuesit dhe kërkoi që Izraeli të përjashtohet nga garat ndërkombëtare sportive derisa të ndalet “barbarizmi në Gaza”. Mediat raportuan gjithashtu se qeveria spanjolle ka anuluar një kontratë gati 700 milionë euro për blerjen e raketave të prodhuara nga Izraeli. /Korrespodenti