Një pastor nga Afrika e Jugut, së bashku me disa influencues të tjerë të krishterë, po përballen me kritika të ashpra dhe tallje publike pasi parashikimi i tyre rezultoi plotësisht i gabuar, transmeton Korrespodenti.
Ata kishin parashikuar se më 23 dhe 24 shtator 2025 do të ndodhte “Rrëmbimi” – një ngjarje apokaliptike ku, sipas besimit të tyre, Jezusi do të merrte papritur në qiell të gjithë besimtarët e vërtetë – dhe Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit. Pasi data kaloi pa asnjë ngjarje, predikuesit u detyruan të dilnin online për të shpjeguar dështimin e tyre, ndërkohë që mijëra ndjekës të zhgënjyer shprehën indinjatën e tyre.
Figura qendrore e kësaj profecie ishte pastori Joshua Mhlakela, i cili pretendoi se Jezusi i ishte shfaqur personalisht në një vegim.
Gjatë një interviste për kanalin CettwinzTV, ai deklaroi: “E pashë Jezusin të ulur në fronin e tij dhe e dëgjova qartë të thoshte: Unë po vij së shpejti.” Ai pretendoi se kthimi do të ndodhte më 23 ose 24 shtator, datë që përkonte me Festën Hebreje të Borive. I kthyer në një sensacion viral, parashikimi i tij u përhap me shpejtësi në mbarë botën, duke bindur një numër të konsiderueshëm njerëzish se Dita e Gjykimit ishte afër.
Në një transmetim të drejtpërdrejtë që më vonë u fshi nga rrjetet sociale, Mhlakela u përpoq dëshpërimisht të menaxhonte situatën teksa minutat kalonin. Ai u kërkoi ndjekësve të tij të ishin të duruar, duke këmbëngulur se “Zoti është rrugës”. Me kalimin e orëve dhe me afrimin e mesnatës, pasiguria e tij u bë më e dukshme.
“Pyes veten se si e llogarit Zoti këtë, për sa i përket minutës dhe sekondës,” tha ai, pak para se ora të shënonte 24 shtator pa asnjë shenjë hyjnore.
Pas dështimit të bujshëm, reagimet nuk vonuan. Rrjetet sociale u vërshuan me video nga besimtarë të shkatërruar. Një rast emblematik ishte ai i Tilahun Desalegn, një burrë nga Australia, i cili postoi një video në TikTok ku shihej makina e tij duke u tërhequr nga karroatreci.
“Nuk do të më duhet pas shtatorit, sepse do të shkoj në shtëpi, atje ku është ati im në qiell,” shkruante ai. Tani, Desalegn, i cili ka mbi 30,000 ndjekës, ka publikuar një video të re ku i kërkon falje botës për përhapjen e parashikimit të rremë. “Nuk do të flas më kurrë publikisht për rrëmbimin,” shkruan ai në klipin që ka marrë mbi 643,000 shikime.
Në mënyrë të ngjashme, Kingsalem Igwe, një tjetër profet i vetëshpallur nga Nigeria, kërkoi falje me përulësi.
“Unë thjesht i besova një njeriu që pretendonte se Jezusi i kishte folur,” tha ai në një video të shpërndarë në TikTok nga kritikët. Siç raporton Daily Mail, të tjerë besimtarë u filmuan duke qarë, jo vetëm nga zhgënjimi shpirtëror, por edhe për faktin se tani duhej t’i ktheheshin punës dhe jetës së tyre normale.
Kritikat nuk erdhën vetëm nga skeptikët, por edhe nga komuniteti i krishterë. Shumë besimtarë vunë në dukje se vetë Bibla e ndalon caktimin e datave për fundin e botës. “Mos u mashtroni! Askush nuk e di se kur do të kthehet Jezusi,” komentoi dikush në transmetrimin e fshirë të Mhlakela-s. Vladimir Savchuk, një pastor dhe autor i njohur në YouTube, sqaroi se një parashikim i tillë bie ndesh drejtpërdrejt me fjalët e Jezusit.
Kjo ngjarje shërben si një tjetër kujtesë për rrezikun e profecive të tilla dhe ndikimin e tyre shkatërrues mbi jetët e njerëzve. Ndërsa protagonistët e këtij parashikimi përballen me pasojat e fjalëve të tyre, historia e profecive të dështuara për apokalipsin shtohet me një kapitull të ri, duke lënë pas një gjurmë turpi publik dhe besimi të lëkundur. /Korrespodenti