Një numër i madh rrëfimesh në platformën Reddit po tërheqin vëmendje për mënyrën sesi disa ish-besimtarë e kanë humbur fenë pikërisht pasi lexuan librat e shenjtë që supozohej të forconin besimin e tyre, shkruan Korrespodenti.
Nga rrëfimet e përdoruesve të Reddit që thonë se u bënë ateist pasi lexuan librat e shenjtë, tregojnë se leximi i librave të shenjtë duke përdor mendimin kritik shpesh përfundon në zhgënjim të thellë dhe jo në forcim të devotshmërisë.
Një përdorues i Reddit në forumin “r/exchristian” shkroi se pikërisht leximi i Biblës e çoi drejt ateizmit.
“U bëra ateist sepse në fakt e lexova Biblën nga fillimi në fund, madje disa herë,” rrëfen ai. “Sa më shumë e lexoja, aq më shumë shihja kontradikta, urdhra mizore dhe gjëra që nuk kanë kuptim shkencor. Nuk mund ta quaja më këtë libër fjalë të Zotit”, ka shkruar ai në Reddit. Ky postim u bë shkas për një debat të gjerë mes mijëra përdoruesve, me dhjetëra të tjerë që ndanë përvoja të ngjashme.
Njëri prej komentuesve të këtij postimi tha se humbja e besimit për të ishte një proces i ngadalshëm, të cilin e krahasoi me ‘death by a thousand cuts’ – një vdekje nga një mijë prerje, ku çdo kontradiktë apo pasazh problematik i Biblës i jepte nga pak një goditje besimit të tij, derisa ky u shua plotësisht.
“Sa më shumë lexoja, aq më shumë prishej iluzioni. Çdo kapitull sillte një plagë të re për besimin tim, derisa nuk mbeti më asgjë,” shkroi ai në një diskutim të ngjashëm në Reddit.
Një tjetër komentues pranoi se ishte rritur si katolik i devotshëm, por kur më në fund e lexoi të plotë Biblën, e kuptoi se askush nga miqtë e tij besimtarë nuk e kishte lexuar. Ai thotë se nëse do ta bënin këtë, edhe ata do të pyesnin veten se çfarë po besonin.
Për shumë përdorues, pikërisht kontradiktat morale të Biblës ishin vendimtare. Njëri prej tyre shkroi se, pas disa leximeve, ‘pasaktësitë historike, gabimet shkencore dhe morali i kalbur filluan të më binin në sy, duke e vrarë besimin tim përfundimisht’. Ky ton u pasqyrua nga dhjetëra të tjerë që pranuan se leximi i librit të shenjtë ishte hapi i parë drejt skepticizmit.
Kjo përvojë nuk është e kufizuar vetëm te të krishterët. Në nënforumin “r/exmuslim”, shumë ish-besimtarë muslimanë ndanë të njëjtin rrugëtim.
“Kur lexova Kur’anin dhe Hadith-et në anglisht në thellësi, u bëra agnostik. Ishte shumë zhgënjyes – i mbushur me përsëritje të pafund, dhunë dhe seksizëm”, pranoi një përdorues.
Një tjetër ishte edhe më i drejtpërdrejtë, duke thënë se: “Leximi i Kur’anit është arsyeja pse lashë Islamin. Ai është plot me gabime morale – që nga martesa e fëmijëve, dhuna ndaj grave, e deri te skllavëria. Sa më shumë e lexoja, aq më e pamundur ishte për mua ta konsideroja se ato ishin fjalë të Zotit”.
Në komente të tjera, përdorues të r/exmuslim shpjeguan se për ta zhgënjimi nisi nga kapitujt e parë. Njëri prej tyre shkroi: “E ndjeva si tërëmendje – që në fillim ndeshesh me dhunë, frikësim dhe urdhra për bindje absolute. Nuk kishte më asnjë hapësirë për të pyetur apo për të dyshuar”.
Përtej forumeve anonime, edhe figura publike kanë treguar histori të ngjashme. Ali A. Rizvi, ish-mjek dhe autor me origjinë pakistaneze, ka rrëfyer se leximi i Kur’anit në anglisht e bëri të humbte besimin. Ai u trondit nga pasazhet që flasin për amputimin e hajdutëve, dhunën ndaj jobesimtarëve dhe ndëshkimin e grave, duke pranuar se “njohja e thelluar e tekstit” ishte e papajtueshme me logjikën dhe etikën moderne.
Pavarësisht besimit fillestar, rrëfimet nga të krishterë dhe muslimanë përfundojnë shpesh me një përfundim të ngjashëm, se librat e shenjtë, të lexuar pa filtrin e interpretuesve fetarë, shfaqin kontradikta, dhunë dhe norma morale të vështira për t’u justifikuar në kohën moderne.
“Askush nuk bëhet ateist për qejf. Zakonisht është një proces i dhimbshëm, ku pyetjet nuk marrin kurrë përgjigje të ndershme”, shkroi një komentues në r/atheism.
Rrëfimet e ndara të përdoruesve në Reddit, nga Bibla te Kur’ani, tregojnë se besimi mund të shembet jo për shkak të mungesës së njohjes, por për shkak të thellimit në tekstet që pretendojnë të jenë hyjnore. Për disa, ky proces shndërrohet në një udhëtim të dhimbshëm, por njëkohësisht lehtësues, ku humbja e fesë nuk shihet si tradhti, por si pasojë e natyrshme e kërkimit të së vërtetës. /Korrespodenti