Këto janë fshatrat ku është e “ndaluar” të vdesësh, një qenka edhe në Itali

Në botë ekzistojnë rregulla aq të pazakonta, sa shpesh bëhen lajme ndërkombëtare. Në Singapor, për shembull, ndalohet përtypja e çamçakëzit për të mbajtur rrugët të pastra, ndërsa në Venecia, ushqimi i pëllumbave mund të sjellë gjobë të rëndë. Por në disa zona të botës, autoritetet kanë shkuar edhe më larg: kanë ndaluar vdekjen brenda territorit të tyre.

Këto masa, sado të çuditshme duken, nuk janë të nxitura nga dëshirat e zyrtarëve lokalë, por nga arsye praktike – sanitare, demografike apo fetare, shkruan Huffpost.

Longyearbyen (Svalbard, Norvegji)

Në skajin e Arktikut, rreth 1.500 kilometra larg Polit të Veriut, ndodhet Longyearbyen. Prej më shumë se 70 vjetësh, në këtë qytet është e ndaluar të vdesësh. Ligji i vitit 1950 mbylli varrezat lokale pasi u zbulua se temperaturat ekstreme pengojnë dekompozimin e trupave, duke rrezikuar përhapjen e viruseve dhe epidemive.

Që atëherë, personat me sëmundje terminale apo të moshuarit me rrezik të afërt vdekjeje dërgohen në ndonjërin nga qytetet e Norvegjisë. Praktikisht, qyteti ka shkallë vdekshmërie zero – sepse banorët duhet të largohen përpara se të japin frymën e fundit.

Sellia (Kalabri, Itali)
Ky fshat me rreth 550 banorë miratoi në vitin 2015 një rregullore që “ndalon” banorët të sëmuren dhe, si pasojë, të vdesin. Fshati rrezikonte shpopullim të plotë: në vitin 1960 kishte 1.300 banorë, ndërsa sot ka më pak se gjysmën.

Sipas rregullores, çdo banor është i detyruar të bëjë kontroll mjekësor një herë në vit. Kush e shmang, përballet me rritje taksash. Qëllimi i masës është nxitja e parandalimit shëndetësor dhe ruajtja e popullsisë së fshatit – dhe deri më tani ka sjellë mbi 100 vizita të reja mjekësore.

Itsukushima (Miyajima, Japoni)

Në ishullin e shenjtë të Itsukushimës, ku ndodhet një nga shenjtëroret më të rëndësishme sintoiste, që nga viti 1878 është e ndaluar si lindja, ashtu edhe vdekja. Për të ruajtur pastërtinë shpirtërore të vendit, autoritetet nuk lejojnë ndërtimin e varrezave apo spitaleve. Gratë shtatzëna dhe të sëmurët rëndë dërgohen në vende të tjera për lindje ose trajtim.

Lanjarón dhe Darro (Granadë, Spanjë)

Edhe në Spanjë kanë ekzistuar masa të ngjashme. Në vitin 1999, kryetari i Lanjarónit shpalli një rregullore që u ndalonte 3.870 banorëve të tij të vdisnin. Varreza lokale ishte mbushur dhe nuk kishte hapësirë për varrezë të re. Lajmi mori vëmendje edhe nga New York Times. Vetëm një javë më vonë, një 91-vjeçar “shkeli ligjin”, por u varros pa gjobë për familjarët e tij pasi ishte mik i kryebashkiakut, duke e bërë rregulloren më shumë simbolike.

Në vitin 2002, komuna fqinje Darro nxori një urdhër të titulluar “Vdekja e ndaluar”, duke “kërkuar” që njerëzit të mos vdesin brenda zonës urbane, për shkak të mungesës së hapësirës së varrezave.

Në botë mund të ndryshojnë kulturat dhe traditat, por këto shembuj tregojnë se kreativiteti i autoriteteve lokale shpesh prodhon rregulla që sfidojnë logjikën – dhe që për këtë arsye bëhen lajm në mediat ndërkombëtare.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME