Halil Rafati – një emër që sot lidhet me suksesin, librat dhe biznesin e ushqimeve të shëndetshme, dikur ishte simbol i humbjes, varësisë dhe shkatërrimit personal.
Në fillim të viteve 2000, ai jetonte në Skid Row të Los Angeles-it, i pastrehë, i varur nga heroina dhe kokaina, i arrestuar disa herë dhe i rrënuar fizikisht, duke peshuar vetëm rreth 49 kilogramë.
Rafati e përshkruan vetë se kishte tentuar në mënyrë të përsëritur t’i jepte fund jetës me mbidozë, ndërsa në një rast u shpëtua në minutën e fundit nga personat që e gjetën të rrëzuar.
Kjo periudhë e errët u bë pjesë qendrore e librit të tij autobiografik “I Forgot to Die”, ku ai rrëfen për jetën në buzë të vdekjes dhe dështimin pas dështimit.
Historia ndryshoi kur ai vendosi të rehabilitohej dhe të linte pas varësinë.
Me shumë përpjekje, ai arriti të ndërtonte një jetë të re, duke themeluar qendrën e rehabilitimit Riviera Recovery dhe më pas biznesin SunLife Organics, një brand i njohur i lëngjeve dhe ushqimeve të shëndetshme që sot ka disa pika në Kaliforni dhe jashtë saj. Nga një njeri i rrënuar dhe i humbur, Rafati u shndërrua në milioner, sipërmarrës dhe frymëzues për mijëra njerëz që kërkojnë të dalin nga errësira e varësisë.
Historia e tij është dëshmi se armiku dhe miku më i madh i çdo njeriu është vetja e tij, sepse brenda vetes gjenden edhe çelësat e shkatërrimit, edhe ata të ringritjes. Rafati sot flet hapur për rrugëtimin e tij nga rruga në sukses, duke treguar se rrëzimi nuk është fundi, por mund të jetë fillimi i një jete të re./Korrespodenti