Miq të dashur, dua t’ju rrëfej një histori reale nga jeta ime në punë.
Për 43 vite punova si infermiere në Spitalin e Traumës (ish-Spitali Ushtarak), në klinikën e Ortopedi-Traumatologjisë. Atje kam mjekuar mijëra plagë – nga më të lehtat deri tek ato më të rëndat, sepse spitali ynë priste të gjitha aksidentet dhe fatkeqësitë që ndodhnin në vend.
Kam parë dhe përjetuar shumë: aksidente rrugore, plagosje nga armët e zjarrit (sidomos vitin e kobshëm 1997), tragjedinë e Gërdecit ku fëmijë e të rritur vinin me gjymtyrë të humbura, si dhe tërmetin që na gjeti të gjithë në alarm. Në çdo rast, ne nuk pyetëm për orar pune – vraponim të ndihmonim jetët njerëzore.
Por një histori nuk do ta harroj kurrë, sa të kem jetë.
Një djalë i ri, rreth 28 vjeç, arsimtar dhe i fejuar, pësoi një aksident tragjik me tren gjatë transferimit të familjes së tij nga Kukësi në Tiranë.
Fati i tij ishte i pamëshirshëm: humbi të katër gjymtyrët – këmbët mbi gju dhe duart mbi bërryla.
Ishte rasti i vetëm që pashë ndonjëherë me të katër ekstremitetet e amputuara.
Çdo ditë, kur shkoja për ta mjekuar, unë qaja fshehtas. Ai, megjithatë, gjente forcë të buzëqeshte.
Më shumë se një orë zgjaste mjekimi i plagëve të tij.
Te dera, çdo ditë më priste e ëma me lot në sy:
“Flora, si duken plagët sot?”
Një grua e fortë, malësore zemërmadhe, që edhe në dhimbjen më të madhe, falënderonte Zotin:
“Shyqyr që e kam gjallë djalin.”
Unë e pyesja veten: si do të jetonte ai djalë pa asnjë gjymtyrë?
Për më tepër, e fejuara e braktisi.
Por ai nuk e humbi buzëqeshjen dhe shpresën.
Tre muaj rresht e mjekova, edhe më pas në shtëpi, derisa plagët u mbyllën. I thosha shpesh:
“Mos i humb shpresat, sepse jashtë shtetit bëhen mrekulli.”
Ai nuk përgjigjej, vetëm buzëqeshte.
Pas tre vjetësh, ndodhi mrekullia. Një ditë, te dera e spitalit, dikush më thirri:
“Flora, nuk po më njeh?”
Ishte një burrë i shëndoshë, plot jetë. Nuk e njoha. Ai më dha dorën, një dorë të ngrohtë e të fortë. Ishte ai – i njëjti djalë.
që kishte humbur ekstremitet dhe që unë u preka kaq shumë nga fatkeqësia e tij .
Nipi i tij, që kishte punuar 12 vite në Greqi, kishte investuar për t’i dhuruar protezat e të katër gjymtyrëve.
Ai ecte me këmbët e tij artificiale, më dha dorën , Dora ishte e ngrohte dukej si normale dhe më tha se ishte martuar dhe kishte një djalë.
Nuk mund ta besoja syve të mi.
Ishte rikthyer në jetë, me dinjitet e forcë, falë shpresës, dashurisë së familjes dhe përparimeve të mjekësisë.
Mesazhi i kësaj historie është i thjeshtë, por i madh:
Kurrë mos e humbni shpresën!
Ende më kumbojnë në vesh fjalët e nënës së tij:
“Shyqyr Flora që Zoti ma ruajti gjallë djalin.”
Ju uroj për ju më të mirat
në çdo familje. dhe ne cdo prag
Dhimbjet e fatkeqësitë i marrtë lumi e i çoftë nga ne sa më larg
Me respekt,
Flora Mezini Boja