Hachikō – qeni që priti pronarin për gati 10 vjet në stacionin Shibuya

Në vitet 1920 në Tokio, një qen i racës Akita u bë simbol i besnikërisë dhe dashurisë së pakushtëzuar. Hachikō, i cili iu dhurua profesor Hidesaburō Ueno, priste çdo ditë pronarin e tij në stacionin hekurudhor Shibuya.

Kur Ueno vdiq papritur në vitin 1925, Hachikō nuk e braktisi zakonin. Për gati 10 vjet me radhë, ai u shfaq çdo pasdite në të njëjtin vend, duke pritur një njeri që nuk do të kthehej më kurrë. Historia e tij preku banorët e Tokios dhe e ktheu atë në një ikonë kombëtare.

Sipas Japan Times, profesori Ueno ishte i lidhur ngushtë me qenin e tij dhe e merrte shpesh me vete deri në stacion, para se të nisej për në Universitetin e Tokios. Pas vdekjes së papritur të profesorit, Hachikō vazhdoi të ndiqte rutinën e përditshme, pavarësisht shiut, borës apo vapës së verës. Prania e tij e përditshme tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve, të cilët nisën t’i sillnin ushqim dhe ta shihnin si një simbol të dashurisë së përjetshme.

Historia mori vëmendje të madhe publike në vitin 1932, kur një ish-student i Uenos botoi një artikull në një gazetë japoneze mbi përkushtimin e qenit. Që nga ai moment, Hachikō u bë i famshëm në gjithë vendin. BBC raporton se vizitorë nga e gjithë Japonia nisën të udhëtonin drejt Shibuyas për të parë qenin besnik, i cili nuk u largua kurrë nga vendi ku priste.

Kur Hachikō vdiq më 8 mars 1935, mijëra njerëz morën pjesë në ceremoninë e tij të varrimit. Sipas National Geographic, ai u vendos përballë varrit të profesor Uenos në një tempull në Tokio, duke përmbushur kështu një lidhje që nuk u këput as nga vdekja, shkruan Korrespodenti.

Për ta nderuar, në vitin 1934 u ngrit një statujë prej bronzi në stacionin Shibuya, ku ai qëndroi deri ditën e fundit të jetës së tij. Edhe pse u shkrinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, statuja u rindërtua në vitin 1948 dhe sot është një nga pikat më të vizituara të Tokios.

Historia e Hachikō-s ka frymëzuar libra, filma dhe dokumentarë në mbarë botën. Filmi “Hachi: A Dog’s Tale” me aktorin Richard Gere e solli legjendën japoneze në publikun ndërkombëtar, duke e kthyer atë në një histori universale për besnikërinë.

Për japonezët, Hachikō nuk është thjesht një qen i dashur, por një kujtesë e gjallë se lidhjet mes njeriut dhe kafshës mund të jenë më të forta se koha dhe vdekja.

Sot, statuja e tij në Shibuya nuk është vetëm një atraksion turistik, por edhe një vendtakim i njohur për banorët e Tokios. Çdo vit, më 8 mars, qyteti nderon kujtimin e tij me një ceremoni përkujtimore.

hachikō statue

Hachikō mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e besnikërisë dhe dashurisë së pastër, duke i kujtuar botës se disa histori kalojnë përtej kufijve të njerëzores. /Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME