Në vitin 2011, një grua 52-vjeçare mbërriti në një klinikë psikiatrike në Hagë të Holandës me një çrregullim të rrallë dhe të çuditshëm: brenda pak minutash pasi i hidhte sytë dikujt, fytyra e tij shndërrohej në atë të një dragoi.
Studiuesit i përshkruan simptomat në një studim të botuar në The Lancet. Sipas studimit, edhe pse gruaja arrinte t’i njihte fytyrat, brenda minutash “ato nxiheshin, u rriteshin veshë të gjatë dhe të mprehtë, u dilte një feçkë dhe shfaqnin lëkurë si të zvarranikut me sy gjigantë në të verdhë të ndritshëm, jeshile, blu ose të kuq.” Kjo nuk ishte një dukuri e rastësishme. Ndodhte disa herë në ditë.Dhe nuk ishin vetëm fytyrat që i shkaktonin simptomat. Studimi shpjegonte: “Ajo shihte fytyra të ngjashme me dragonj që i afroheshin shumë herë në ditë nga muret, prizat elektrike ose ekrani i kompjuterit, si në prani ashtu edhe në mungesë të modeleve të ngjashme me fytyra, dhe natën shihte shumë fytyra dragonjsh në errësirë.”Këto shtrembërime shqetësuese kishin qenë një mundim i gjatë për të, diçka që pacientja kujtonte se e kishte përjetuar që fëmijë. Fillimisht nuk shqetësohej nga dragonjtë. Vetëm në adoleshencë ajo e kuptoi se të tjerët nuk i shihnin njerëzit si dragonj, siç ndodhte me të.
Megjithatë, ajo arriti të përfundonte gjimnazin, të punësohej si administratore shkolle, të martohej dhe të kishte një fëmijë. Sidoqoftë, kjo gjendje i solli përvoja izolimi dhe depresioni, si dhe abuzim me alkoolin dhe vështirësi në komunikim që e bënin të vështirë mbajtjen e një pune. Në dëshpërim, ajo kontaktoi neurologun Oliver Sacks dhe kërkoi ndihmë në klinikën psikiatrike.
Ekipi mjekësor kreu një seri testesh rutinë: një ekzaminim neurologjik, analiza gjaku dhe një elektroencefalogram (EEG), të gjitha me rezultate normale. Pastaj, rezonanca magnetike tregoi “vetëm disa” anomali të substancës së bardhë.
Anomalitë gjendeshin pranë bërthamës lentiforme, e cila lidhet me njohjen dhe me dëmtime njohëse tek skizofrenia, dhe në qendrën semiovale, e cila është lidhur me anomali shqisore. Ekipi dol në përfundimin se shtrembërimet demonike shkaktoheshin nga aktiviteti elektrofiziologjik jonormal në rajonet e trurit që lidhen me përpunimin e fytyrave dhe ngjyrave, të cilat ndodhen në korteksin ventral okcipitotemporal.
Dragonjtë janë vetëm një shfaqje e një gjendjeje tepër të rrallë të quajtur prosopometamorfopsi (ose sindroma e fytyrës demon), e përshkruar për herë të parë në vitin 1947. Ndryshe nga gruaja e përshkruar në studim, shumica e pacientëve e përjetojnë vetëm përkohësisht. Në shumicën e rasteve, kjo lidhet me çrregullime si epilepsia ose me ndryshime fizike në tru. Në fakt, vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, kur u vu re tek ushtarë që kishin pësuar dëmtime në kokë, kjo gjendje mori më shumë vëmendje në komunitetin shkencor.
Prosopometamorfopsia është shembulli i sindromës së Lizës në Botën e Çudirave, një grup gjendjesh që përfshijnë shtrembërime vizuale. Të tjera përfshijnë shikimin e fytyrave aty ku nuk ka asnjë dhe perceptimin e gjysmës së fushës pamore si më të vogël nga sa është në realitet.
Shembuj të tjerë të prosopometamorfopsisë përfshijnë individë që shohin fytyrat të shndërrohen në koka peshqish, fytyra që shkrihen, ose fytyra me një sy të tretë apo të katërt. Madje është sugjeruar se arti i Pablo Picasso-s dhe Francis Bacon-it tregon se ata mund ta kenë përjetuar këtë gjendje në një moment të jetës.
Vizita në klinikë ndryshoi jetën e gruas së përshkruar në studim, të cilës iu hoqën medikamentet e mëparshme, iu ofrua psikoedukim dhe iu përshkruan 300 mg acid valproik në ditë.
Pas një pengese fillestare, trajtimi u ndryshua në 3 mg rivastigminë në ditë pasi acidi valproik e bënte të dëgjonte zëra të fortë gjatë gjumit. Trajtimi, sipas studimit, “i mbajti simptomat vizuale mjaftueshëm nën kontroll që ajo të funksiononte normalisht.” / Discover Magazine