“Adhuruesit e djallit”? Zbulo të vërtetën: Rrëfimi i paharrueshëm i Jezidëve, nga fotot e viteve ’30 deri te gjenocidi i ISIS

Në vitet ’30 një grup arkeologësh amerikanë, të angazhuar në gërmimet e sitëve mesopotamikë në veri të Irakut, nuk dokumentuan vetëm qytetërimet e lashta, por edhe momente të paharrueshme të jetës së përditshme të komunitetit jezid, një nga pakicat fetare.

Këto imazhe bardh e zi qëndruan për dekada në arkivat e Muzeut të Arkeologjisë dhe Antropologjisë të Universitetit të Pensilvanisë, gati të harruara mes 2,000 fotografive të gërmimeve.

Më pas, gati një shekull më vonë, ato imazhe u zbuluan si një dëshmi e çmuar e një bote pjesërisht të zhdukur: në vitin 2014, Shteti Islamik i vetëshpallur shkatërroi rajonin e Sinjarit, duke rrënuar tempuj, komunitete dhe duke kryer akte që sot njihen si gjenocid.

Origjina. Jezidizmi është një fe monoteiste ezoterike, e përhapur në Mesopotaminë e Veriut para ardhjes së islamit. U formua nën ndikimin e besimeve politeiste dhe animiste, me një kontribut të fortë me origjinë iraniane (mandeizmi dhe manikeizmi). Ndikimi i feve të mëdha monoteiste (veçanërisht islami) erdhi më vonë.

Fama e tyre “e errët” lidhet me besimin e gabuar, të përhapur mes myslimanëve, se ata janë “adhurues të djallit”, për shkak të ngjashmërisë mes tregimit të Satanit kristian dhe figurës së tyre hyjnore, të rënë në Tokë. Në të vërtetë, për ta djalli nuk ekziston fare: e mira dhe e keqja bashkëjetojnë në figurën e Zotit.

Kulti dhe traditat. Jezidët besojnë në një Zot primord, i aftë të shfaqet nën formën e “shtatë engjëjve”, mes të cilëve kryeson “engjëlli pallua”. Në këtë fe, roli i njeriut është qendror; një besimtar i mirë duhet të falet dy herë në ditë në drejtim të diellit, të agjërojë, të kryejë pelegrinazhe, të mos konsumojë ushqime të papastra (si sallata) dhe të mos veshë kurrë ngjyrën blu. Jezidët besojnë në transmigrimin e shpirtit dhe në interpretimin e ëndrrave. Të lutesh në praninë e të huajve është një tabu.

Marc Marin Webb, doktorand në Universitetin e Pensilvanisë, hasi një imazh të një tempulli të shkatërruar nga ISIS-i. Prej andej nisi kërkimi: qindra fotografi të kataloguara dhe të mbledhura në një arkiv fotografik.

Në këto fotografi gjenden skena pune, rite fetare, momente familjare. Copëza kujtese që sot shndërrohen në dëshmi të një identiteti gati të fshirë: vlerësohet se sot kanë mbetur vetëm 200–300 mijë jezidë, nga të cilët 150 mijë jetojnë në Irakun e Veriut dhe të tjerë janë shpërndarë në Siri, Turqi, Iran dhe Evropë./E.T/Focus.it

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME