A munden alienët të arrijnë në Tokë për 16 ditë duke përdorur shtytjen me “light sail”? – Ja çfarë thotë astrofizikani i Harvardit Avi Loeb

Emri i astrofizikanit të Harvardit, Avi Loeb, ka qenë në qendër të një vëmendjeje të madhe mediatike, shpesh i shoqëruar me spekulime dhe tituj sensacionalistë. Kjo u pa qartë me zbulimin e vizitorit ndëryjor 3I/ATLAS, shkruan Korrespodenti.

Pasi vëzhgimet fillestare treguan një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe mungesën e një bishti të dukshëm, Loeb hodhi hipotezën se mund të merrej në konsideratë një origjinë artificiale.

Ky sugjerim teorik u mor nga shumë media dhe u transformua në tituj që pretendonin se ai kishte deklaruar se kometa ishte një anije aliene, një pohim që ai vetë nuk e bëri në atë formë absolute.

Duke ndjekur këtë model të keqinterpretimit, spekulimi më i fundit që po qarkullon vrullshëm online është se Loeb ka parashikuar që alienët mund të mbërrijnë në Tokë për vetëm 16 ditë. Ky pretendim viral e paraqet një llogaritje hipotetike të shkëputur nga konteksti si një parashikim të afërt, duke shtrembëruar plotësisht thelbin e argumenteve të tij mbi udhëtimin ndëryjor dhe teknologjitë e së ardhmes.

Për të kuptuar se çfarë beson realisht Loeb, duhet t’i referohemi shkrimeve të tij, si eseja e vitit 2022 mbi “Përzgjedhjen Teknologjike”. Në këtë artikull, ai argumenton se metodat tona aktuale të shtytjes me raketa kimike janë thellësisht të kufizuara nga “tirania e ekuacionit të raketës”, e cila e bën udhëtimin ndëryjor jashtëzakonisht të ngadaltë. Ai duke përdorur një metaforë, shpjegon se: “anijet tona kozmike aktuale janë si tragete të ngadalta; një qytetërim i avancuar, ose ne në të ardhmen, do të ndërtonte “varka më të shpejta” siç është vela e dritës (light sail)”. Kjo teknologji, e cila është në zemër të projektit Breakthrough Starshot ku Loeb këshillon, synon të përdorë lazerë të fuqishëm për të përshpejtuar sonda të vogla në 20% të shpejtësisë së dritës, duke mundësuar një udhëtim drejt yllit më të afërt, Alpha Centauri, në rreth 20 vjet. Ideja e tij e “përzgjedhjes teknologjike” sugjeron se çdo vëzhgues i largët ka më shumë gjasa të pikasë teknologjitë tona më të shpejta e të avancuara të së ardhmes, sesa sondat tona të ngadalta e primitive të së shkuarës.

Ndërsa këto debate teorike vazhdojnë, shkenca e bazuar në fakte shënoi një moment historik. Sot, më 3 tetor 2025, kometa 3I/ATLAS kaloi pranë Marsit, duke u dhënë shkencëtarëve një mundësi të paprecedentë për ta studiuar nga afër. Instrumentet në bordet e anijeve kozmike si MAVEN dhe Mars Express po mbledhin të dhëna për të analizuar përbërjen e saj.

Ndërkohë, pozicioni zyrtar i komunitetit shkencor, i shprehur qartë nga NASA, është se 3I/ATLAS është një objekt natyror. Siç raporton  The Guardian, astronomi kryesor i NASA-s, Tom Statler, deklaroi se 3I/ATLAS “Duket si kometë. Bën gjëra komete… provat dërrmuese tregojnë se ky objekt është një trup natyror.”

Është shtë thelbësore të bëhet dallimi midis hipotezave provokuese dhe fakteve të verifikuara shkencërisht. Avi Loeb luan një rol të rëndësishëm në sfidimin e mendimit tradicional dhe në shtyrjen e kufijve të asaj që konsiderohet e mundur. Megjithatë, idetë e tij më të guximshme, përfshirë ato për teknologjitë aliene, mbeten në fushën e spekulimeve dhe nuk përbëjnë konsensus shkencor.

Shkenca kërkon prova të jashtëzakonshme për pretendime të jashtëzakonshme, dhe deri më sot, për të gjithë vizitorët ndëryjorë të vëzhguar, shpjegimet natyrore mbeten të vetmet që mbështeten nga të dhënat. /Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME