A rrezikon politika tregtare e Trumpit ta rikthejë inflacionin – çka nënkupton kjo për Kosovën e varur nga importi?

Pasojat e pandemisë Covid-19 dhe luftës së Rusisë në Ukrainë e zhytën Kosovën në një krizë ekonomike të thellë, me inflacionin që arriti nivele të paprecedenta. Çmimet e produkteve bazike u rritën në mënyrë të pakontrolluar, të shtyra nga ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit dhe presionet inflacioniste që kapluan ekonominë globale.

Si një vend me ekonomi të euroizuar dhe një varësi të lartë nga importet, Kosova u ekspozua drejtpërdrejt ndaj tronditjeve ndërkombëtare.

Brenda një periudhe të shkurtër, çmimet e mallrave esenciale u rritën mbi 50 për qind, ndërsa inflacioni i përgjithshëm gjatë katër viteve arriti në 22 për qind, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Megjithëse gjatë vitit 2024 inflacioni po i afrohej normalitetit, kërcënimet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për vendosjen e tarifave të larta ndaj shumë vendeve, rrezikojnë ta rikthejnë krizën e vetëm 2-3 viteve më parë.

Shumica e ekonomistëve kanë paralajmëruar se tarifat do të rrisin inflacionin dhe do të ngadalësojnë rritjen ekonomike të ShBA-ve.

“Pothuajse të gjithë ekonomistët mendojnë se ndikimi i tarifave do të jetë shumë i keq për Amerikën dhe për botën,” shkroi The Guardian duke cituar Joseph Stiglitz, një profesor i ekonomisë në Universitetin e Kolumbisë dhe fitues i çmimit Nobel në shkencat ekonomike “Ato pothuajse me siguri do të jenë inflacioniste.” – tha Stiglitz.

Deficiti tregtar kumulativ i Kosovës gjatë katër viteve të fundit ka tejkaluar vlerën e 19 miliardë eurove. Në këtë kontekst, një tjetër krizë globale inflacioniste do të sfidonte seriozisht qeverisjen e ardhshme të Kosovës, pasi edhe pse qeveria e kaluar ndau buxhete për grupet më të cenueshme, efektet e tyre ishin minimale.

Raporti i Bankës Botërore i vitit 2022 kishte konstatuar se pakot sociale të qeverisë ishin shumë të “ngurta” dhe të pafuqishme për të zbutur krizën ekonomike me të cilën po përballej vendi, me inflacionin që mbetet problemi kryesor.

Sipas ASK-së, inflacioni mujor i matur ishte 0,7 për qind, ndërsa norma vjetore e inflacionit arriti në 1,5 për qind krahasuar me janarin e vitit 2024 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga disa kategori kryesore të konsumit. Në krahasim me dhjetorin 2024, çmimet janë rritur më së shumti te perimet, energjia elektrike, duhani, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, kafeja, çaji dhe kakao, si dhe produktet e tjera ushqimore si mishi dhe pemët.

Në krahasim me janarin e vitit të kaluar, çmimet janë rritur ndjeshëm për disa kategori të mallrave dhe shërbimeve.

Ndër produktet dhe shërbimet me rritjen më të lartë të çmimeve janë kafeja, çaji dhe kakao, vajrat dhe yndyrnat, si dhe shërbimet për transportin personal.

Po ashtu, çmime më të larta janë regjistruar për pijet joalkoolike, gazetat dhe materialet për zyra, shërbimet financiare, mishi dhe produktet e qumështit.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here