Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj krijimit të një shteti të pavarur palestinez, duke bërë deklarata të ashpra në të cilat mohoi ekzistencën e Palestinës.
“Nuk ka Palestinë. Nuk ka pasur kurrë Palestinë. Nuk do të ketë kurrë Palestinë. Palestina ekziston vetëm në imagjinatën tuaj”, deklaroi Ben-Gvir.
Ai theksoi se, sipas qëndrimit të tij, shteti i vetëm që ekziston është Izraeli, duke shtuar se autoritetet izraelite kanë ligjet e tyre dhe kanë nisur zbatimin e tyre.
“Ekziston Shteti i Izraelit dhe Shteti i Izraelit ka ligje, zbatimin e të cilave kemi filluar ta bëjmë”, u shpreh ministri.
Deklaratat e Ben-Gvir vijnë në një kohë kur statusi i Palestinës dhe krijimi i një shteti të pavarur palestinez mbeten çështje qendrore në konfliktin izraelito-palestinez dhe në përpjekjet diplomatike për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.
Ben-Gvir, pjesë e qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka kundërshtuar vazhdimisht zgjidhjen me dy shtete dhe ka mbështetur politika më të ashpra ndaj palestinezëve.
Ndërkohë, shumica e komunitetit ndërkombëtar vazhdon të mbështesë zgjidhjen me dy shtete, që parasheh ekzistencën e Izraelit dhe Palestinës si dy shtete të pavarura, përmes një marrëveshjeje të negociuar.
