Trump dhe NATO i kërkuan të mos zgjerojë luftën në Ukrainë, vjen reagimi zyrtar nga Putin

Rusia ka hedhur poshtë paralajmërimet e presidentit amerikan Donald Trump dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kundër zgjerimit të luftës në Ukrainë.

Duke iu përgjigjur deklaratës së përbashkët SHBA-NATO, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se askush nuk dëshiron që konflikti të zgjerohet, por shtoi se është Ukraina, e jo Rusia, ajo që po përpiqet të zgjerojë zonën e konfliktit. “Sa i përket përshkallëzimit të konfliktit në Ukrainë, kjo duket se i referohet përpjekjeve të regjimit të Kievit për të zgjeruar shtrirjen gjeografike të këtij konflikti. Ne jemi dëshmitarë të veprimtarisë terroriste nga ana e regjimit të Kievit në Mesdhe dhe në Detin Baltik,” u tha Peskov gazetarëve gjatë një

telekonference.

“Kjo nuk mund të mos shkaktojë shqetësim midis shteteve bregdetare, e me gjasë edhe brenda vetë Aleancës në tërësi – Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Sigurisht, askush nuk do të dëshironte që konflikti të përhapet gjeografikisht, dhe këto janë veprime potencialisht shumë të rrezikshme nga ana e regjimit të Kievit,” shtoi ai.

Konflikti, i cili në muajin shkurt hyn në vitin e tij të pestë, është përshkallëzuar muajt e fundit përmes sulmeve me dronë dhe sulmeve kibernetike, për të cilat Evropa fajëson Rusinë. Kremlini mohon se ka shënjestruar qëllimisht vendet evropiane.

Më herët, Donald Trump dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, publikuan një deklaratë të përbashkët lidhur me luftën, pas takimit të tyre në Mar-a-Lago të mërkurën. Të dy bënë të ditur se diskutuan “rëndësinë që Rusia dhe Ukraina të shmangin çdo veprim që, qoftë qëllimisht apo pa dashje, mund ta zgjerojë luftën, si dhe rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje paqësore sa më shpejt të jetë e mundur”.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME