Ismet Gjocaj: Njeriu që hapi shtigjet e para të lirisë, por vepra e të cilit u la në harresë

Nga: Atdhe Gjoci

Ka emra që hyjnë në histori me zhurmën e fitoreve dhe ka të tjerë që mbeten aty si themele të heshtura, të ngritura në kohën kur liria nuk kishte ende emër të sigurt, por vetëm çmim të rëndë. Ismet Gjocaj i përkiste atij brezi që nuk priti të ndizej flaka për të dalë përpara, por e ndezi vetë shkëndijën në errësirë: ndërtoi me duar e pa zhurmë shtigjet, armët dhe lidhjet që do ta mbanin gjallë rezistencën, kur çdo hap mbante me vete hijen e burgut, të torturës dhe vdekjes.
​
​U rrit në Gjocaj, fshat malor në Bjeshkët e Nemuna dhe zonë kufitare me Shqipërinë. Nga malet e vendlindjes e mbushte kamionin me dru kinse për t’i shitur, ndërsa nën dru barte armët drejt lokacioneve që kërkoheshin. E njihte çdo cep e shteg të kufirit dhe mënyrat e kalimit të tij, u bën jetike për firnizim me armë në ato vite.
​

​I lidhur me Adem Jasharin, mori përsipër një nga detyrat më të rënda të atyre viteve: sigurimin dhe bartjen e armëve drejt Drenicës dhe viseve të tjera. Gjocaji u shndërrua në rrezik të përhershëm për armikun, në nyjë kryesore të furnizimit me armë e armatim për radhët e rezistencës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe në strehë e pikë kalimi për luftëtarët që lëviznin drejt Shqipërisë e anasjelltas.
​
​Në vitin 1992, kur të ndjekurit e “grupit Tolaj” nga Vokshi i Deçanit kërkuan shpëtim, Ismeti i kaloi sigurt drejt Shqipërisë, që të mos binin në duart e ndjekësve. Përtej kufirit, në Tropojë, i priste bashkëveprimtari i tij i afërt dhe krahu i djathtë, Tahir Syleci, i cili e strehoi grupin në kullën e Qerim Aliut dhe në kullën e vet. Po ashtu priti shumë luftëtarë të tjerë, përfshirë Adem Jasharin dhe grupin e Drenicës, të shoqëruar e të orientuar nga vetë Ismeti.
​

​Kështu vijoi puna e furnizimit, shoqërimit dhe orientimit të njerëzve drejt Shqipërisë dhe prej andej në Kosovë. Vite të tëra, hap pas hapi, në heshtje, ndërsa rezistenca merrte frymë përmes shtigjeve që ai i kishte hapur.
​
​Mr 26 nëntor te vitit 1997 erdhi goditja e rëndë. Pas një arrestimi të befasishëm në Deçan, ku u ndalua bashkë me bashkëveprimtarët Fatmir Gashi dhe Feriz Gashi nga Malisheva, milicia e rrahu aq ashpër sa e la për të vdekur. Nga frika se në qendër të Deçanit mund të vinin pas njerëz të rrjetit të tij, forcat e milicisë e dërguan në stacionin e Irzniqit për ta torturuar më tej dhe për t’ia humbur gjurmët.


​Më 26 nëntor 1997, i dërrmuar nga torturat, Ismetin e fusin në automjetin e blinduar të milicisë për transferim, i hedhur brenda sikur s’i kishte mbetur as fryma e fundit. Jashtë ndodhej vëllai i tij, Avniu, i shkatërruar nga e njëjta dhunë. Kur vëmendja e milicëve u shpërqendrua te lëvizja dhe transferimi i tyre, Ismeti mblodhi forcën e fundit dhe u ngrit. Rrëmbeu armën e milicit shofer brenda mjetit, shtiu, vrau milicin Dragan Davidoviq dhe plagosi dy të tjerë, Milorad Llutovacin dhe Zharko Millosheviqin, dhe doli jashtë nën zjarr për ta nxjerrë vëllanë nga duart e tyre.

​I plagosur, i rrethuar dhe i pabarabartë përballë një aparati të tërë të armatosur, nuk mundi ta kthente fatin e asaj dite. U plagos sërish. Siç rrëfen Avniu, vëllai i tij, i gjallë edhe sot dhe dëshmitar i asaj dite, Ismeti u torturua e u masakrua mizorisht. Atje nuk u mbyll një duel mes forcash të ngjashme, por u shua një njeri që deri në frymën e fundit nuk pranoi të dorëzohej dhe u përpoq të mbronte gjakun e tij.


Organet serbe e paraqitën ngjarjen si “sulm terrorist” dhe njoftuan se u “likuidua terroristi” Ismet Gjocaj. Por e vërteta e tij nuk shkruhet në komunikatat e armikut; ajo mbahet mend nga ata që e panë.
Dhe për tu ngritur si feniksi, Ismetit pak muaj më pas, më 10 shkurt 1998, lindi djali që mori emrin e tij: Ismet (Ismet Ismet Gjocaj). Lindi pasi i ati kishte rënë, që emri të vazhdonte aty ku jeta ishte ndërprerë.
​
​Sot shënohen 29 vjet nga vrasja e Ismetit, dhe këtu hapet shtresa tjetër e kësaj historie: harresa institucionale. Koha ka sjellë libra, akademi, këngë dhe përkujtime shtetërore për rrugën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por institucionet e vendit e kanë lënë Ismet Gjocajn në hije, pa i dhënë vendin dhe vlerësimin që i takon në kujtesën zyrtare. Kur institucionet dhe shoqëria mbajnë mend vetëm çastet kulmore dhe lënë mënjanë ata që përgatitën terrenin, historia rrezikon të kthehet në rit të jashtëm, duke humbur fijet e vërteta që e mbajtën gjallë.
​
​Mbi Gjocaj dhe mbi ato male kufitare lind ende i njëjti diell që pa kalimet e hershme të Ismetit drejt Shqipërisë. Ismet Gjocajt nuk iu mor vetëm jeta; harresa nga institucionet rrezikon t’ia lërë në heshtje edhe veprën. Vendin e tij në historinë e ngritjes së UÇK-së e kërkon vetë e vërteta: radhët e atyre që nuk pritën të vinte liria, por kaluan malet, siguruan armët dhe vunë veten përpara për t’ia hapur asaj rrugën.

​Shënim: Në vitin 1992, Ismeti ndihmoi në kalimin drejt Shqipërisë të këtyre të ndjekurve nga Vokshi i Deçanit: Bajram Tolaj, Fadil Tolaj, Sherif Tolaj, Din Tolaj, Lulzim Tolaj, Avdyl Panxhaj dhe Isuf Rama.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME