Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës i është përgjigjur Xhavit Halitit të Partisë Demokratike, pasi ky i fundit në një emision televiziv ka thënë se “Besian Mustafa e di se kush ia ka vrarë babain”.
Mustafa, para hyrjes në sallën e Kuvendit ka folur për këtë deklaratë. Ka thënë se familja e tij dhe e gjithë Kosova presin drejtësi për Xhemajl Mustafën. Ai ka thënë se pret që drejtësia të vijë nga gjykatat vendore e jo nga studiot televizive.
“Unë për vrasjen e babës dhe i gjithë populli i Kosovës kërkon e pret drejtësi nga gjykatat vendore e jo në studiot televizive, aq më pak nga z.Xhavit Haliti, ky është i vetmi koment”, ka thënë Mustafa për media.
Xhavit Haliti, deputet i PDK-së, tha të mërkurën në emisionin Context në ATV, se beson që Besian Mustafa e di kush është atentatori i babait të tij.
“Po krijohet përshtypje që vetëm janë piketuar njerëzit e LDK-së. Unë e kuptoj z. Mustafa që ia kanë vrarë babanë; ai pak a shumë besoj që e di kush ia ka vrarë babanë – sepse kanë qarkulluar lloj-lloj të dhënash”, tha Haliti.
Haliti tha se qytetarët që kanë informacione për vrasjet e pazgjidhura të pasluftës e kanë obligim të dërgojnë informacionet pranë institucioneve të drejtësisë.
