Kosovarëve u vështirësohet punësimi në Gjermani, kjo është arsyeja

Gjermania planifikon të përgjysmojë kuotën vjetore për pranimin e punëtorëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Nga 50.000 sa është aktualisht, numri i lejeve të para të punësimit pritet të ulet në 25.000 në vit.

Qeveria gjermane më 4 nëntor miratoi një propozim që parasheh përgjysmimin e numrit të punëtorëve që mund të marrin miratimin fillestar për punësim përmes rregullores së posaçme për Ballkanin Perëndimor.

Rregullat e reja pritet të zbatohen nga 1 janari 2027, por për hyrjen e tyre në fuqi nevojitet edhe miratimi i Bundesratit, dhoma përfaqësuese e landeve gjermane, e cila do ta shqyrtojë propozimin më 18 dhjetor.

Me ndryshimin e propozuar, numri i lejeve të reja do të zvogëlohej për 25.000 në vit, duke vështirësuar mundësitë e punësimit për qytetarët e rajonit që synojnë të punojnë në Gjermani.

Megjithatë, propozimi ka hasur në kundërshtime nga një pjesë e punëdhënësve gjermanë, shoqatat ekonomike dhe shtatë lande, të cilat paralajmërojnë se kufizimi mund ta thellojë edhe më shumë mungesën e fuqisë punëtore.

Kundër uljes së kuotës është shprehur edhe Agjencia Federale Gjermane e Punësimit, e cila vlerëson se kuota aktuale duhet të mbetet e pandryshuar.

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, në shtator të vitit 2026 në Gjermani ishin të punësuar rreth 546.000 qytetarë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët paguanin kontribute të detyrueshme për sigurim social.

Autoritetet gjermane bëjnë të ditur se ulja e planifikuar buron nga marrëveshja e koalicionit qeverisës dhe vendimet paraprake politike për kufizimin e migrimit të fuqisë punëtore.

Nëse propozimi merr miratimin përfundimtar, kuota e re do të zbatohet nga fillimi i vitit të ardhshëm. Megjithatë, kjo nuk nënkupton ndalim të përgjithshëm të punësimit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në Gjermani, pasi do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe rrugë të tjera ligjore për të hyrë në tregun gjerman të punës./TV21/

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME