Kryeministri Albin Kurti e ka fajësuar Përparim Ramën për vonesat në përgatitjen për Lojërat Mesdhetare 2030, edhe pse qeveria e drejtuar prej tij është përgjegjëse për shumicën e projekteve që lidhen me këtë organizim.
Nga seanca e Kuvendit të Kosovës të enjten, Kurti ka thënë se organizimi i Lojërave Mesdhetare po rrezikohet për shkak të mungesës së unitetit të brendshëm në Këshillin Organizativ të Lojërave, pjesë e të cilit është edhe Përparim Rama, kreu i Komunës së Prishtinës.
“Ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet. Kemi pasur edhe një mbledhje të Këshilli Organizativ për Lojërat Mesdhetare. Natyrisht që aty jemi bashkë. Është për të ardhur keq që kur po përfundojnë mbledhjet, diskutimet shteruese që po mbahen aty, më pastaj po dalin në opinionin publik ‘qysh, kush votoi’. Kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjell në këtë pikë, ku edhe po rrezikohet organizimi i Lojërave Mesdhetare”, ka thënë Kurti.
“Unë vazhdoj të jem optimist, por optimist i përmbajtur, për shkak se kush bën mirë nuk e ka kollaj të shtyhet me dikë që e bën të kundërtën dhe në këtë aspekt komunikimi ynë me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë tejet i mirë, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Komunën e Prishtinës – prandaj edhe ndodhemi në këtë situatë”, ka deklaruar ai.
Kurti, për herë të parë të enjten e pranoi që Lojërat Mesdhetare janë në rrezik të organizimit.
