Pse BE-ja po u kërkon vazhdimisht qytetarëve të pajisen me çanta emergjence për të përballuar 72 orë krize?

Komisioni Evropian u bën thirrje qytetarëve të vendeve anëtare që të jenë të përgatitur për të përballuar vetë nevojat bazë për të paktën 72 orë në rast të një situate emergjente.

Udhëzimet e reja, të prezantuara më 3 nëntor 2026 nga komisionerja për Barazinë, Gatishmërinë dhe Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, synojnë të krijojnë një kulturë të përbashkët gatishmërie në të gjithë Evropën.

Sipas burimeve të Komisionit Evropian, krizat moderne mund të shkaktojnë ndërprerje të njëkohshme të shërbimeve jetike, si energjia elektrike, furnizimi me ujë, komunikimet dhe zinxhirët e furnizimit. Në orët e para të një emergjence, autoritetet mund të kenë nevojë për kohë për të organizuar ndërhyrjen dhe për të mbërritur në zonat e prekura.

Për këtë arsye, qytetarët këshillohen të kenë një çantë emergjence, e cila do t’i ndihmojë të përballojnë tri ditët e para pa u varur menjëherë nga ndihma publike.Sipas rekomandimeve të BE-së, pajisjet dhe furnizimet bazë duhet të mbulojnë disa nevoja jetike:

Ujë dhe ushqime: Rekomandohet të sigurohen rreth 2 litra ujë për person në ditë, si dhe ushqime që ruhen për një kohë të gjatë dhe nuk kërkojnë gatim, si konserva, fruta të thata, arra dhe biskota energjetike.

Medikamente dhe ndihma e parë: Një kuti e ndihmës së shpejtë, ilaçet personale dhe ato me recetë, si dhe produktet e higjienës.

Ndriçim dhe komunikim: Një elektrik dore, bateri rezervë, radio portative dhe një bateri e jashtme për telefonin.

Dokumente dhe para: Kopje të dokumenteve të identifikimit, pasaportave dhe kontratave të sigurimit, të ruajtura në një mbështjellëse kundër ujit, si dhe një shumë parash në dorë.

Ngrohje dhe ftohje: Pajisje ose mjete alternative për të përballuar temperaturat e larta apo të ulëta në rast ndërprerjeje të energjisë.

Përveç rezervave materiale, qytetarët inkurajohen të mësojnë edhe aftësi praktike, si ndihma e parë dhe menaxhimi i situatave të emergjencës.

Sipas Komisionit Evropian, periudha prej 72 orësh është përcaktuar si një standard minimal për vetëpërgatitjen e familjeve gjatë fazës fillestare të një krize.

Kjo nuk do të thotë se çdo emergjencë do të përfundojë brenda tri ditësh apo se autoritetet do të vonojnë ndihmën për 72 orë.

Qëllimi është që qytetarët të mund të përballojnë nevojat e tyre bazë, ndërsa shërbimet e emergjencës të përqendrohen te personat që kanë nevojë më urgjente për ndihmë.

Ekspertët theksojnë se ndërprerjet e energjisë elektrike apo të furnizimit me ujë mund të zgjasin disa ditë, veçanërisht pas tërmeteve, zjarreve apo fatkeqësive të tjera natyrore.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME