Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka ngritur pretendime për parregullsi akademike ndaj dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka, lidhur me doktoraturat e tij në Universitetin e Prishtinës dhe në “La Sapienza” të Romës.
Në një e-mail drejtuar senatorëve të UP-së, Këshillit Drejtues dhe stafit të Fakultetit Juridik, Hasani pretendon se Puka ka përdorur të njëjtën tezë doktorature, të përkthyer nga shqipja në italisht, për të fituar dy tituj akademikë.
“Pas një shqyrtimi të hollësishëm, faqe për faqe, kam konstatuar se nuk bëhet fjalë për dy hulumtime të pavarura shkencore, por për të njëjtën tezë doktorature”, ka shkruar Hasani.
Ai kërkoi shqyrtimin e të dy disertacioneve dhe tha se i është drejtuar edhe institucioneve kompetente në Itali.Hasani pretendon gjithashtu se Puka ka larguar nga CV-ja të dhënat për doktoraturën në Romë dhe nuk e ka nostrifikuar diplomën.
Puka i ka mohuar më herët akuzat, duke i cilësuar shpifje dhe duke mohuar plagjiaturën dhe mashtrimin akademik.
