Udhëheqësit e disa vendeve të Lindjes së Mesme kanë bërë thirrje për qetësi dhe rikthim të paqes në rajon, në kohën kur po shtohen shqetësimet për një përshkallëzim të ri të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.
Gjatë një forumi për sigurinë, të mbajtur të shtunën në Bahrejn, zëvendësministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Waleed ElKhereiji, deklaroi se vendet e rajonit dëshirojnë që paqja të rikthehet, raportoi Associated Press (AP).
Ai tha se po bëhen përpjekje për të parandaluar një përshkallëzim ushtarak dhe për të arritur një marrëveshje që do t’i japë fund krizës me Iranin, megjithëse theksoi se askush nuk mund ta parashikojë rezultatin e këtyre përpjekjeve.
“Nëse shikoni përpjekjet që të gjithë po bëjnë, mesazhi është shumë i qartë. Njerëzit në këtë pjesë të botës dëshirojnë që paqja të rikthehet në rajon”, deklaroi ElKhereiji.
Në të njëjtin forum, ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, paralajmëroi se një përshkallëzim i mëtejshëm do të kishte pasoja jashtëzakonisht shkatërruese për rajonin.
“Jemi shumë të bindur se raundi i dytë do të jetë më i rrezikshëm, më shkatërrues dhe nuk do të çojë askund”, u shpreh ai.Shqetësimet janë shtuar për mundësinë e rikthimit të një lufte gjithëpërfshirëse me Iranin, ndërsa vendet e rajonit po diskutojnë edhe çështjet e sigurisë në kufijtë e tyre.
Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shaibani, bëri të ditur se Siria dhe Jordania do të diskutojnë masat për forcimin e sigurisë përgjatë kufirit të përbashkët. Sipas tij, muajin e ardhshëm pritet të mbahet një takim i nivelit të lartë, ku do të shqyrtohen masat dhe marrëveshjet përkatëse.
Al-Shaibani theksoi se mes dy vendeve nuk ka “përleshje” apo incidente të armatosura, duke e cilësuar sigurinë kufitare si përgjegjësi të përbashkët.
Deklaratat vijnë pas sulmeve ajrore të Jordanisë në territorin sirian javën e kaluar, të cilat rritën tensionet mes dy vendeve fqinje. Jordania deklaroi se gjatë sulmeve u vranë 20 militantë të organizatës terroriste ISIS, por pranoi se pati edhe viktima civile.
Ndërkaq, autoritetet siriane raportuan se nga sulmet humbën jetën shtatë persona, shumica gra dhe fëmijë.
