Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, e cila u vra në Pejë.
Sipas IPK-së, hetimet preliminare kanë evidentuar disa parregullsi në trajtimin e rastit nga Policia e Kosovës.
Ndër të gjeturat kryesore janë:
Nuk dokumentohet ekzekutimi i urdhrit mbrojtës të datës 7 shtator 2026.
Urdhri i dytë mbrojtës, i datës 16 tetor 2026, është ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë, më 22 tetor, pas veprimeve zyrtare të IPK-së.
Nuk është trajtuar nga zinxhiri komandues një email i datës 23 tetor, përmes të cilit një hetues policor kishte kërkuar vlerësim të rastit dhe asistencë, duke propozuar edhe vizita të patrullave policore në shtëpinë e viktimës.
Janë evidentuar dyshime për dështime në zinxhirin komandues, në vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe në ekzekutimin e vendimit të gjykatës.
Pas rekomandimit të IPK-së, Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë, përfshirë ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal në Pejë, shefin e Hetimeve Rajonale, komandantin dhe zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, zyrtarë të tjerë udhëheqës dhe katër hetues policorë.
IPK ka bërë të ditur se veprimet hetimore po zhvillohen me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, me qëllim të shqyrtimit të plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë.
Institucioni ka theksuar se procesi do të vazhdojë në koordinim me organet kompetente të drejtësisë, duke respektuar ligjshmërinë dhe prezumimin e pafajësisë.
